Ministri i shëndetësisë Filipçe: Nëntë persona ka pasur në furgonin me të infektuarën me koronavirus, të gjithë janë gjetur

Pacientja tek e cila është përcaktuar prania e koronavirusit është në gjendje të mirë të përgjithshme, me formë të lehtë të sëmundjes. I është kapluar vetëm njëra pjesë e mushkërisë dhe nuk ka nevojë për ventilim mekanik dhe për asnjë formë tjetër të terapisë intensive. Është vendosur në Repartin për kujdes intensiv dhe izolim në Klinikën për infektologji, kumtoi sonte në konferencë shtypi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai informoi se janë identifikuar të gjithë udhëtarët të cilët kanë qenë me pacienten në furgon dhe të cilët në vend kanë hyrë përmes vendkalimit kufitar Tabanoc. Gjithsej janë nëntë persona, prej të cilëve tetë udhëtarë dhe një shofer.

“Personat janë identifikuar në dy vende në Shkup, së bashku me familjarët e pacientes të cilët e kanë pritur dhe tre në Strumicë. Tashmë janë dërguar ekipet e epidemiologëve së bashku me përfaqësuesit e MPB-së që të bëhet anketë përkatëse pas pyetësorit të përcaktuar që të mësohet se me cilët persona kanë komunikuar këta udhëtarë sot. Sonte të gjithë do të qëndrojnë në izolim shtëpiak nën mbikëqyrje policore, ndërsa në bazë të të dhënave do të caktohet nëse do të vazhdojë izolimi shtëpiak ose nesër do të transferohen në repartet e caktuara infektive për mbikëqyrje. Nuk ka hapësirë për panik, ka pasur edhe më herët epidemi dhe tani ka grip epidemik. Nuk ka nevojë për sigurimin e rezervave”, theksoi Filipçe.

Ai paralajmëroi se nesër paradite do të kumtohen detaje plotësuese.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu