Ministria e Punëve të Brendshme ka kapur 26 persona të dhunshëm që kanë thyer kordonin policor dhe kanë hedhur gurë dhe fishekzjarre drejt objektit të Parlamentit. Por përveç faktit që ata kanë tentur të hyjnë në objekt, ata kanë sulmuar edhe objekte hotelierike dhe i kanë vënë flakën një makine, teksa policia i kishte shpërndarë.
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
“Rreth orës 21:30 rreth 50 protestues, duke lëvizur në grup, janë nisur drejt sheshit ‘Maqedonia’ dhe me dhunë kanë hyrë në dy objekte hotelierike, ku kanë thyer një pjesë të inventarit dhe kanë shkaktuar panikë dhe frikë te mysafirët e pranishëm, ndërsa në një objekt protestuesit u kanë hedhur mysafirëve gaz lotsjellës. Në afërsi të hotelit ‘Holidej In’, është djegur një furgon ‘Fiat’, zjarrin e të cilin e kanë shuar brigadat zjarrfikëse”
Në lidhje me gazetarin e portalit “Infomaks”, të cilin e arrestoi policia dje, MPB kumtoi se ai ka refuzuar të legjitimohet dhe ka shfaqur rezistencë, prandaj edhe policët që nuk e kanë ditur se është gazetar e kanë marrë në stacion policor, por pas konfirmimit të identitetit të tij menjëherë është lëshuar.
Ministria e Punëve të Brendshme apeloi deri tek gazetarët dhe kameramanët që ta respektojnë kodeksin etik të sjelljes dhe të mos pengojnë policinë në kryerjen e detyrave. Në vijë të ngjashme janë edhe nga Këshilli për Etikë në Media. Ky trup u bëri apel punonjësve mediatik që të mos nxjerrin informata të cilat kanë për qëllim mobilizimin e personave të dhunshëm për qëllime negative dhe mbrojtje të interesave të caktuara.
Pas disa ditëve protesta të grupit të tifozëve “Komitët” dhe pjesëmarrësje të tjerë që protestojnë kundër marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, prokuroria theu heshtjen. Njoftoi se i ka kërkuar policisë të gjithë incizimet e MPB-së por edhe të kamerave të sigurisë përreth vendit ku po bëhej protesta, në mënyrë që të identifikojë protestuesit që kanë kryer vepra penale. Prokuroria njoftoi se prokurorët kanë patur takim në mëngjes me zyrtarë të MPB-së në të cilat janë kërkuar materialet e nevojshme dhe të dhënat për 26 personat e arrestuar dje dhe në mënyrë plotësuese është interesuar edhe për pesë persona të mitur që ishin arrestuar dhe liruar më pas.
Prokuroria Themelore
“Prokuroria themelore i kërkoi MPB-së prova relevante për të gjithë personat e arrestuar në bazë të veprimeve që i kanë ndërmarrë para Parlamentit, përshirë edhe për personat e mitur që ishin arrestuar dhe liruar më pas. Kërkuam para së gjithash video inçizime nga kamerat e sigurisë me të cilat do të dokumentojmë çdo veprim eventual të paligjshëm”
Prokuroria po heton edhe profilet e disa kërcënuesve në rrjetet sociale pasi që siç thuhet në kumtesë, kanë publikuar përmbajtje ofenduese dhe kërcënuese për disa bartës të funksioneve publike.
Prokuroria Themelore
“Nga përmbajtja e videoincizimeve do të vërtetohet edhe identiteti i personave të tjerë që janë të përfshirë në ngjarje. Varësisht prej përmbajtjes së video incizimeve dhe provave të tjera, do pasojë edhe ngritja e kallëzimeve penale”
Prokuroria megjithatë nuk do të hetojë edhe gjuhën e urrejtjes që e përdorin protestuesit çdo ditë kundër popullit shqiptar. Këshilli për Etikë në Media sot ka bërë thirrje që mediat të mos keqpërdorin thirrjet e disa grupeve për sjellje radikale të cilat prishin rendin dhe qetësinë publike./SHENJA