Mite të rrejshme për dygjuhësinë në Maqedoni

Sikur edhe me shumë çështje tjera që kanë të bëjnë me simbole etnike, kuptimi i sotëm i shumë-gjuhësisë në Maqedoni është bazuar në mite dhe argumente irracionale që nuk kanë pikë të përbashkët me realitetin. Kështu shkruan Jovan Bliznakovski, nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” në analizën e tij për DW, transmeton Portalb.

Në mesin e muajit shtator, kreu i LSDM Zoran Zaev në një intervistë foli për shumë-gjuhësinë si perspektivë e Maqedonisë. Mediat pro qeveritare e interpretuan deklaratën e tij si thirrje për federalizim. Përfundimet e mediave pro qeveritare Zaev i mohoi dhe tha se retorika e tij s’kishte të bëjë me “dy gjuhësinë në tërë territorin”.

Maqedonia de facto është shtet me shumë gjuhë

“Shumë-gjuhësia ishte e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës Socialiste të Maqedonisë nga 1963 (e riafirmuar edhe me Kushtetutën e 1974). Të njëjtat rregulla ishin riafirmuar edhe në Kushtetutën e vitit 1991, duke ju garantuar “nacionaliteteve”, të përmendur në Preambul, të drejtën e përdorimit të gjuhës edhe në komunikimin me institucionet lokale. Pas konfliktit të 2001 këto të drejta ndryshuan, tani “bashkësitë” mbi 20% në nivel nacional mund ta përdorin gjuhën amtare në shërbim zyrtar, në nivel nacional dhe në arsimin e lartë. Kështu, Maqedonia de facto është vend me shumë-gjuhësi zyrtare me dekada, ndërkaq në nivel nacional me 15 vjet.

Shumë-gjuhësia zyrtare në botën moderne është e pranishme te shumë shtete unitare dhe nuk paraqet diçka jashtë normales. Si shembuj kemi Belgjikën, Kanadën dhe Zvicrën. Shembull tjetër kemi edhe Sllovenin, e cila u mundëson të drejta gjuhësore italianëve dhe hungarezëve. Italia në disa provinca mundëson përdorimin e gjuhëve tjera jo italiane. Shembull më i suksesshëm në përdorimin e dy gjuhësisë në tërë territorin është Finlanda, ku përveç gjuhës finlandeze edhe gjuha suedeze është zyrtare edhe pse suedezët e përbëjnë 5% e popullsisë”, shkruan Bliznakovski.

Sipas tij, retorika etno nacionaliste gjatë fushatës parazgjedhore paraqet rrezik serioz per kohezionin shoqëror.

“Dy- gjuhësia, thjesht, do të thotë se shqiptarët mund ta përdorin gjuhën amtare në komunikimin e tyre me institucionet shtetërore. Këtu nuk ka dëm individual apo kolektiv, flasim për mundësimin e një operacioni- asgjë më shumë”, nënvizon ai, transmeton Portalb.

Bliznakovski shpreson që në të ardhmen do të shohë parti politike që do të merrej me gradimin e gjuhëve tjera në Maqedoni. Ai mendon se në këtë mënyrë duhet kontribuar në kohezionin mes bashkësive, të cilat, sipas tij, janë rrënuar nga elita politike të papërgjegjshme dhe me mite që ata i prodhojnë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu