Mungesa në stërvitje do t’i kushtojë 375.000 euro Neymarit

Ishte konsideruar si diçka e pazakontë në vitin e kaluar kur Football Leaks publikoi një klauzolë në kontratën e Neymarit me Paris Saint-Germainin që i siguronte atij shpërblim financiar për sjellje të mirë.

Mirëpo, këtë muaj, braziliani nuk do t’i marrë 375.000 eurot e bonusit të tij, pasi që nuk është paraqitur në fillim të stërvitjeve parasezonale.

Të gjithë lojtarët e PSG-së kanë bonuse të këtij lloji në kontratat e tyre, madje edhe atë të akademisë dhe të seksioneve tjera. Kjo klauzolë është e zakonshme në klubet franceze, sepse ato nuk mund t’i gjobisin lojtarët nga rroga bazë.

Në vend të kësaj, mund t’ua ndalin bonusin në rast të sjelljes jo të mirë dhe këto para i dhurohen fondacionit bamirës të PSG-së.

“Është për sjellje shembullore ndaj sponsorëve, kundërshtarëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve, dhe për përpikëri dhe angazhim në stërvitje. Madje edhe respekti ndaj mediave është pjesë e këtij bonusi të sjelljes”, thuhet në shpjegimin e klubit francez.

Serge Aurier, Adrien Rabiot, Edinson Cavani e Marco Verratti, janë disa nga lojtarët që iu është ndalur ky bonus për sjelljet jo të mira në të kaluarën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu