Mungoi në samit, opozita kryqëzon Kurtin

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti, për mospjesëmarrje fizike në Samitin e përbashkët BE- Ballkanit Perëndimor në Tiranë.

Në një postim në Facebook, Krasniqi këtë e ka quajtur papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet parësore të kryeministrit.

“Pikërisht në këtë Samit, ndër më të rëndësishmit për shtetin tonë, Kryeministri i Kosovës ka vendosur që të mos marrë pjesë. Në vend të tij, ai ka zgjedhur që javën ta kalojë në Irlandë të Veriut, duke mbajtur ligjërata boshe e pa ndikim nëpër shkolla. Kjo papërgjegjësi dhe shmangie nga obligimet e tij parësore si Kryeministër është e pabesueshme”.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti është shprehur i bindur se qëndrimi në Irlandën e Veriut është vetëm pretekst i kryeministrit për t’i ikur Samitit në Tiranë.

“Nuk ka axhendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim.”

Ndërkohë, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka kritikuar Kurtin se ka zgjedhur rrugën e largimit nga NATO-ja.

“Kryeministri Kurti ka zgjedhur një rrugë tjetër, atë të largimit të Kosovës nga NATO, e që fatkeqësisht kjo është agjenda ruse, ne jemi kthyer nga axhenda ruse.”

Kryeministri Albin Kurti në samit është paraqitur virtualisht. Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Kurti nuk merr pjesë në organizime të ngjashme nga Tirana zyrtare. Në Korrik të vitit të kaluar, ai kishte munguar në Samitin e Procesit të Berlinit me arsyetimin se ndodhej në Greqi. Ai kishte munguar edhe në Samitin e Diasporës që u mbajt në Nëntor të vitit të kaluar në Tiranë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu