Nafie Selmani: Kryetari në ikje i Çairit po vetlavdërohet me investimet private në komunë

Nafie Selmani ka kritikuar qasjen e kryetarit të Komunës së Çairit, të cilin e ka quajtur kryetar në ikje, në lidhje me vetlavdërimin e tij në lidhje me investimet private në komunën e Çairit, duke u munduar për t`i paraqitur ato si investime të komunës, transmeton Almakos.

Ky është reagimi i plotë i Nafie Selmani:

“Vetëm disa ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, dhe një muaj para ditës së mbajtjes të zgjedhjeve vendore, qytetarët tanë janë dëshmitarë të pjesëmarrjes të figurave kryesore të BDI-së në ngjarje të investimeve nga individë privat, dhe vetëlavdërimit për investime nga donacione e donatorë të ndryshëm privat.

Kujtojmë këtu ngjarjen e para rreth dy javëve të rinovimit të Bit Pazarit, një premtim i kamotshëm i BDI-së, por që në fund u realizua nga Tregu i Shkupit – SHA, Shkup, ku ndër të tjerë i pranishëm ishte edhe Kryetari në ikje i Komunës së Çairit.

Nuk e harrojmë as bujën e madhe mediale e me video incizime për zgjerimin e një shkolle fillore në Çair me donacion privat, para disa muajve, ku meritat i mori përsipër kryetari në ikje i Komunës së Çairit, kuadër i BDI-së!

Sot, vetëm një muaj para ditës së zgjedhjeve vendore, po i njëjti kryetar komune, nuk e la t’i ik mundësia dhe e kapi lopatën në dorë para kamerave, për t’u vetëlavdëruar për ndërtimin e një salle sportive në shkollën fillore Jashar Bej, njësoj donacion nga një individ privat.

Qytetarët e Çairit i kuptojnë hilet e marketingut politik në kohë zgjedhjesh, dhe ata me të drejtë pyesin: Kur do të ndërtoni diçka me paratë e arkës buxhetore të komunës, e e cila mbushet nga qytetarët, dhe ku shpenzohen ato mjete?

Donatorët privatë mund vetëm t’i falënderojnë, por kurrsesi t’i përvetësojnë si të arritura të tyre, e veçanërisht jo një muaj para zgjedhjeve vendore.”, ka shkruar ajo.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu