Raportet mes Lumir Abdixhikut dhe Përparim Ramës mund të jenë ftohur sërish.
Ashtu siç edhe ka raportuar Gazeta Sinjali ditë më parë, ndarja e madhe në LDK, duket se po ndodhë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Abdixhiku, e ka paralajmëruar Përparim Ramën se çdo lloj marrëveshje që nuk kalon nga strukturat e LDK-së, nuk përfaqëson qëndrim zyrtar të partisë.
Ky paralajmërim vjen një ditë pas tollovisë së shkaktuar në kabinetin qeverisës të Ramës, i cili e shkarkoi të hënën nga pozita e drejtorit zyrtarin e kësaj partie Sokol Havollin.
Pas shkarkimit, Havolli e akuzoi kryetarin Rama për shkarkim nën “ndikimin e PDK-së”.
Në vazhdën e këtyre akuzave, Lidhja Demokratike e Kosovës tha të martën përmes një komunikate për media se LDK nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në në Prishtinë.
“LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani”, tha LDK në komunikatë.
“LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse.”
Tutje, LDK-ja e paralajmëroi Ramën se rrezikon të humbë përkrahjen e strukturës së saj politike në Prishtinë në rast të “çdo marrëveshje tjetër” pa aminin e partisë.
“Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në”, thuhet në komunikatë.
Në përmbyllje të komunikatës, LDK tha se me çështjet lokale do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale.
“Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim”, përfundon komunikata e LDK-së.










