Ndërmjetësimi nga BE e vetmja altrenativë e zgjidhjes së kontestit Bullgari-Maqedoni e Veriut

Nga Agron Shaqiri

Mosmarrëveshja që Bullgaria i imponon Maqedonisë së Veriut duhet të zgjidhet me ndihmën e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, pasi fqinji lindor bllokoi miratimin e kornizës negociuese për anëtarësimin e vendit tonë në BE!

Deri më tani, Bullgaria në disa raste ka refuzuar të mbyllë çështjet e hapura me Maqedoninë e Veriut me ndihmën e lehtësuesve, por këto ditë kjo ide si duket ka filluar që të lansohet nga ata në disa media, kështu eurodeputeti bullgar Andrej Kovaçev, i cili është pjesë e partisë qeverisëse të Bojko Borisov, në një paraqitje televizive nuk e ka përjashtuar mundësin e kyçjes së mediatorit në këtë proces.

Lidhur me këtë, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në maj të këtij viti kishte thënë se nëse Bullgaria bllokon Maqedoninë e Veriut, një palë e tretë do të duhet që të përfshihet, palë kjo e cila do të ketë një rol ndërmjetës, pasi, sipas tij, kjo çështje edhe mund të tërhiqet zvarë për gjatë kohë, e në fund të ditës duhet patjetër që të zgjidhet. Ai kohët e fundit ka zbuluar se ka pasur tentativa të tilla, apo thënë më saktë, ka pasur sugjerime që në komisionin e përbashkët historik të përfshihen edhe ekspertë gjermanë për të ndihmuar si një palë e tretë, por një gjë të tillë Bullgaria e kishte refuzuar.

Tani nëse shikohet se si qëndrojnë punët deri në këtë moment, lehtë mund të konstatohet se ky format, në të cilin qëndrojnë vetëm historianë bullgarë, nga njëra anë dhe nga ana tjetër vetëm historianë maqedonas nuk do të japë rezultate të mira, pra deri sa nuk ka të përfshirë një palë të tretë në këto bisedime, nuk do të ketë përparime.

Por javën e kaluar, eurodeputeti bullgar Kovaçev në një paraqitje për TV Europe, ka thënë se ndërmjetësimi ndërkombëtar nuk është përjashtuar, por edhe se nuk ka asnjë përgjigje konkrete në pyetjen që i bëri gazetari se si do të përfitonte këtu Bullgaria, veçanërisht pasi asnjë ndërmjetës nuk do të pranonte që Perandoria Bullgare në Luftën e Dytë Botërore nuk ishte fashiste.

Nevojitet ndërmjetësim dhe një zgjidhje e shpejtë

Faza në të cilën ndihma ndërkombëtare është e nevojshme për Bullgarinë që të debllokojë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimin në BE, tashmë ka filluar ,dhe sa më shumë që zgjidhja vonohet, aq më keq do të jetë për Maqedoninëe Veriut.
Në këtë fazë, ndërmjetësimi ndërkombëtar në mosmarrëveshje është më se i nevojshëm.

Kur Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë u nënshkrua në vitin 2017, ndërmjetësimi i palës së tretë u konsiderua i panevojshëm, kurse Kryeministri bullgar Borisov atëherë kishte thënë se ne jemi të aftë të kapërcejmë dhe të zgjidhim problemet tona vet dhe pa ndihmën e askujt, por kjo doli si te të gjithë kombet e tjera të Ballkanit, që histroikisht kanë dëshmuar papjekuri në tejkalimin e ndasive të tyre që kanë qenë pengesa për zhvillimin e demokracisë.

Për këtë asrye është e nevojshme të veprohet sa më shpejt, sepse nëse vonohet, problemet do të ndërlikohet, e kjo me kalimin e kohës do të hapë edhe pyetje të reja, pastaj edhe pyetje tjera më të reja, kurse zgjidhja do të pronlongohet edhe për shumë kohë . Tani palët e involvuara në këtë çështje nuk duhet t’u përgjigjen provokimeve, ata duhet të ndjekim një politikë të mençurisë.

Mësimi duhet nxjerrë nga mosmarrëveshja me Greqinë, e cila përmes një serie propozimesh, refuzimesh dhe vonesave të gjata nga palët e përfshira nuk i zgjidh shpejtë, por u desht, që përmes ndërmjetësimit ndërkombëtarë të arrihet deri tek zgjidhja ku Maqedonia e Veriut e ndryshoi emrin e saj kushtetues. Shembuj të tillë ka shumë edhe në Evropë dhe në botë, ku mosmarrëveshjet historike janë zgjidhur me ndihmën e një pale të tretë. Forma të ndryshme të ndërmjetësimit mund të përdoren në punën e komisioneve të përbashkëta historike dhe në diplomaci midis dy vendeve.

Të gjitha modelet e ndërmjetësimit mund të merren parasysh, qoftë individualisht me ekspertë, qoftë përmes ndërmjetësimit të të gjithë BE-së. Por unë mendoj se kjo mosmarrëveshje nuk duhet të ndërmjetësohet në kuadër të Kombeve të Bashkuara, por në kuadër të BE-së, e cila pavarëshisht se Bullgaria është një vend anëtar i saj, do të duhet të jetë neutrale në këtë ndërmjetësim.

Gjermania do të ndihmojë gjithashtu në 2021

Nga ana tjetër, Gjermania, e cila nuk arriti të bindë Bullgarinë që të lejojë Maqedoninë e Veriut të fillojë negociatat gjatë presidencës së saj në Këshillin e BE, ka njoftuar se do të ndihmojë në mënyrë aktive në vitin e ardhshëm, veçanërisht në kuadrin e procesit të Berlinit që do të kryesojë.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, për fat të keq, nuk është e mundur të bindet Bullgaria të japë pëlqimin. Por edhe Maqedonia e Veriut gjithashtu ka vija të kuqe që nuk mund të kalohen. Bisedimet tani duhet të rinisin vitin e ardhshëm. Duke vepruar kështu, ne kemi bërë në mënyrë të përsëritur të qartë se çështjet bilaterale, veçanërisht ndryshimet historike, nuk kanë vend në procesin e zgjerimit. Kjo është arsyeja pse ne kërkuam që çështjet e historisë së përbashkët të diskutohen në komisionin e përbashkët”, kanë thënë nga Ministria Gjermane e Punëve të Jashtme.

Një nga shpjegimet për bllokadën bullgare është ritmi i pakënaqshëm me të cilin funksionon komisioni historik, dmth këmbëngulja që çështjet e hapura historike të mbyllen në një mënyrë që i përshtatet vetëm Bullgarisë. Ky ishte rezultat i pozicionit Kuadër të miratuar me konsensus vitin e kaluar nga Parlamenti bullgar. Për këto arsye çështja nuk do të zgjidhet as shpejt dhe as lehtë, e pa ndërmjetësim nga jashtë as që mund të mendohet.

Dallimet nuk do të jenë të lehta për t’u kapërcyer

Ideja e një libri shkollor të përbashkët të historisë nuk është ide e keqe, por do të ishte e vështirë të dalë në këto kontekste dhe në këto konstelacione. Një gjë e tillë ishte edhe midis Francës dhe Gjermanisë, kurse libri i parë i tillë u botua në vitin 2005, pra pas 30 vjet bisedimesh. Është e qartë se ndryshimet midis perceptimeve nuk do të kapërcehen lehtë, të paktën jo për këtë brez.

Pra sipas meje zgjidhja është në multiperspektivitetin, dmth për të treguar se për çështje të caktuara specifike, jo për të gjithë, të dy palët kanë pikëpamje të ndryshme, por për një zgjidhje të tillë nuk ka pranueshmëri dhe kjo të krijon logjikën se një zgjidhje nuk mund të ndodhë tani.

Domethënia e problemit është historike dhe Bullgaria do të tentojë të fshijë kombin maqedonas para se të hyjmë në BE , në të kundërtë do ta humbë betejën dhe do të pranojë realitin e ri. Kjo është një “sindromë” e tyre historike e shekullore dhe kush nuk e kupton po bën një gabim të madh. Për atë qëllim, Bullgaria bëri një procedurë të plotë, nga akademia, shkenca, Qeveria dhe Parlamenti dhe formuloi një politikë që është e detyrueshme për të gjithë. Askush nuk mund të improvizojë asgjë. Maqedonia e Veriut duhet të kuptojë se kjo është një politikë e përhershme e Bullgarisë dhe mënyra për të dalë nga ngërçi duhet të kërkohet me mjete të tjera, dhe jo në këtë formë, me përulësi nga të dyja palët.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu