Ndeshja Shqipëri-Maqedoni, sot në Shkodër ecet vetëm në këmbë. Hyrja në stadium 3 orë para

Në qytetin Shkodër, do të zhvillohet ndeshja ndërkombëtare e futbollit, ndërmjet përfaqësueses së Shqipërisë dhe Maqedonisë, ndeshje e cila do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”.

Policia e Shkodrës ka marrë disa masa që nisin me kufizimin e lëvizjeve dhe parkimin e automjeteve në afërsi të stadiumit dhe në akset rrugore si dhe hyrjen në stadium 3-4 orë para nisjes së ndeshjes.

Rrugët e bllokuara

1. Në rrugën “Bujar Bishanaku”, (ose rruga e gjerë e Kirasit), duke filluar nga ora 08:00 do të ketë ndalim të qarkullimit rrugor dhe ndalim të parkimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24:00

Marrja e këtyre masave bëhet për arsye se kjo rrugë do të jetë e vetmja rrugë kryesore e hyrje-daljes së tifozave vendas dhe të huaj

2. Në aksin bulevardi “Zogu i Parë” (ose sheshi Parrucë deri tek “Ish 5-Heronjtë”), duke filluar nga ora 08:00 do të ketë kufizim të qarkullimit dhe ndalim parkimi të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24:00

3. Do të ndalohet parkimi i automjeteve dhe lëvizja e tyre nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën“B. Bishanaku”dhe anasjelltas, nga ora 08:00 deri në ora 24:00

4. Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish poligonit të qitjes) nga ora 08:00 deri në orën 24:00

5. Do të ndalohet parkimi i automjeteve, në të dy anët e Unazës Perëndimore (nga ish Zukthat deri tek Kryqëzimi i Kirasit) nga ora 08:00 deri në orën 24:00

6. Do të ketë kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes në segmentet rrugore : “Xhabije – Parrucë” o “Sheshi 2 Prilli – Parrucë” o “Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë” o “Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”

Hyrja në stadium

Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20:45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 17:00 Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe paisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të, sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdolloji, fishekzjarreve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë.

Njoftojmë administratorët e bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregtar përreth dhe në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” të tregohen mirëkuptues duke i mbyllur aktivitetet në orën 15:00, bën të ditur policia vendore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu