Franca ka nisur të furnizojë me gaz Gjermaninë në një akt solidariteti europian, në një kohë kur presioni për të përballur dimrin me energji është duke u rritur nga dita në ditë.
Gazi u dërgua drejt Gjermanisë përmes një linje, si pjesë e një marrëveshjeje mes dy vendeve, për të plotësuar mungesat që solli ndërprerja e furnizimit me gaz nga Rusia.
Edhe pse sasia e dërguar nuk është më shumë se 2% e nevojave ditore, ky gjest vlerësohet nga Berlini i cili prej kohësh tashmë ka nisur betejën për diversifikimin e energjisë.
Kohët e fundit, Rusia është vënë nën akuzë nga shumë vende europiane se është duke e përdorur çështjen e furnizimit me gaz si një armë kundër Perëndimit.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin i tha të enjten homologut të tij turk Rexhep Tajip Erdogan, se Turqia ishte rruga më e besueshme për dërgimin e gazit në Bashkimin Europian dhe propozoi ndërtimin e një qendre furnizimi atje.