Nga Asambleja e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama i dha urdhër të gjtihë ministrave e deputetëve, që nga 1 maji të nisin takime me qytetarët për të përforcuar kështu bashkëqeverisjen me ta.
Rama tha se kjo do të jetë një fushatë e mirëfilltë me angazhim maksimal dhe me takime fshat më fshat për të biseduar me njerëzit.
“Duke filluar nga java e parë e majit, të gjithë ne do të bëjmë fushatën tonë njësoj si fushatë zgjedhore, me të njëjtin intensitet, thellësi penetrimi në territor dhe me të njëjtin vullnet. Nuk do fitojmë vota, se nuk kemi kundërshtarë përpara dhe nuk do ketë zgjedhje në fund të qershorit, po do fitojmë çdo mendje e zemër që hapet për ta dëgjuar. Dhe duhet të hapim çdo mendje që është e mbyllur për ta dëgjuar. Nëse shohim sot sondazhet, nuk kemi nevojë të bëjmë asgjë, mjafton të jemi gjallë dhe fitojmë zgjedhjet. Po qëllimi ynë nuk është ky, nuk e kemi marrë gjithë këtë përsipër të mundim Lulin, se do ishte njësoj si Real Madridi të ekzistonte për të mundur Vaqarrin. Të hyjmë në fushatë të mirëfilltë me angazhimin maksimal të të gjitha forcave tona që nga niveli i kryesisë së partisë, qeverisë, Asamblesë Kombëtare dhe të gjitha niveleve të dyta të organizimit për të shkuar qark më qark, bashki dhe fshat më fshat për të folur me njerëzit, jo për çka kemi bërë, po për çka njerëzit presin prej nesh sot dhe për të dëgjuar me shumë vëmendje që të kuptojmë atë që është më e rëndësishmja në këto kushte, kur opozita nuk vjen në Parlament për të sjellë zërin e njerëzve”, tha Rama.
Por shtatori, pritet të sjellë ndryshime në qeveri, vendim që do të lidhet ngushtë me rezultatet e kësaj mini-fushate në vitin e dytë të mandatit të dytë të qevrisë Rama. Ndryshimet prekin edhe partinë.
“Çfarë ndryshimesh, nëse do të jetë e nevojshme, në qeveri në shtator duhet të ndryshojmë, cilat ministra, ministri apo sektor nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje, që jo thjesht të tregoj shifra dhe statistika po të kenë vendin e tyre në mendjet e zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin. Në fund të kësaj fushate do të shohim cilët anëtarë të kryesisë së partisë duhet të largohen nga kryesia dhe cilët janë të rinjtë që duhet të vijnë”, tha kryeministri.
Kukësi tha ai, shërbeu një mësim për arrogancën për të cilën është etiketuar qeveria.
“Kërcënimi që ne të etikohetmi si arrogant. Pse thonë njerëzit që ne qeverisim me arrogancë? Këtë duhet ta kuptojmë që ta ndajmë, cila pjesë e qeverisjes sonë konsiderohet arrogante, sepse është e drejtë dhe bëjmë reforma të dhimbshme, dhe cila pjesë e qeverisjes sonë është padrejtësisht arrogante me njerëzit. Këtë ne duhet ta ndajmë. Kukësi ishte një mësim shumë i madh për të kuptuar përgjegjësinë tonë, çfarë ne nuk bëmë si duhet dhe çfarë duhet të bëjmë në vijimësi, për mos tu përsëritur gabimi që duke u nisur për një qëllim të mirë, pa marrë mundimin për ta shpjeguar qëllimin të gjendemi përballë një reagimi që në fund të lë në ballë etiketën e arrogantit”, tha më tej.










