Ndryshimet e propozuara në ligjin për lojërat e fatit nxitën debat mes lëvizjes antibixhos dhe përfaqësuesit e shoqatave të kazinove. Lëvizja anti-bixhoz, si inicuese e këtij procesi, kërkon që vendi të ndjek shembullin e Kosovës dhe Shqipërisë, mbylljen e të gjitha kazinove dhe lojërave tjera të fatit. Opsion tjetër kanë edhe largimin e tyre të paktën 3 kilometra nga vendbanimi më i afërt dhe 5% e fitimit të firmave të lojërave të fatit të jepet për projekte kundër bixhozit.
Jo këtë punë ta arsyetojmë për interesa financiare, për interesa të xhepit, individuale apo grupore. Realisht problemi ekziston dhe i njëjti duhet të zgjidhet në mënyrë institucionale dhe me marrëveshje. Ne si Lëvizje Anti-Bixhoz u rigrupuam njëzëri për të gjetur një zgjidhje adekuate dhe të pranueshme. Si pasojë e shtimit të kësaj dukurie u detyruam që ta ngremë zërin tonë për të mbrojtur rininë tonë, familjen dhe shoqërinë në përgjithësi, nga mortaja BIXHOZ – tha Xhemal Abdiu, kryetar i Lëvizjes Anti-Bixhoz.
Sipas disa të dhënave të cilat i publikuan përfaqësuesit e lëvizjes antibixhoz, mbi 50 për qind e personave të varur nga lojërat e fatit, kanë menduar apo planifikuar të vetëvriten ndërsa 16 % e tyre madje edhe kanë tentuar.
Shoqata që kundërshtojnë mbylljen e lojërave të fatit, thanë se ky veprim do të dëmtonte buxhetin e shtetit dhe do të linte pa punë rreth 20 mijë persona.
Apelojmë, mos na gjykoni, mos na ndëshkoni pa baza, sepse pagat tona ndikojnë rreth 25 mijë njerëz në Maqedoninë e Veriut gjë që është një numër serioz dhe këtë shteti duhet ta merr parasysh, ne po luftojmë për të mbrojtur vendet tona të punës – tha Altrim Shaqiri, shoqata e të punësuarve në objektet e lojërave të fatit.
Deputeti Rexhail Ismaili si propozues i këtyre ndryshimeve, theksoi se pikat kryesore të këtij debati janë dislokimi i kazinove në një largësi të konsiderueshme nga çdo Institucion arsimor si dhe rritja e kontributit të kazinove ndaj buxhetit të shtetit në, jo më pak se 30% e as jo më shumë se 50%.
Nevoja për rregullimin plotësues të kësaj materie u imponua nga problemet e përditshme me të cilët ballafaqohen qytetarët, komunat dhe vet shteti. Distanca apo parregullsia se në cilën hapësirë duhet të vendoset lokalet afariste për organizimin e lojërave të fatit është zbrazëtirë e madhe dhe të njëjtat shpesh kanë vend afër çerdheve, shkollave dhe shumë institucione të tjera – u shpreh Rexhail Ismaili, deputet i BDI- së, propozues.
Seanca e radhës ku do të debatohet për ndryshimet ligjore për lojërat e fatit pritet të mbahet pas dy javësh.










