Në një autobus që po udhëtonte nga Gjermania drejt Maqedonisë së Veriut janë zbuluar rreth 35 mijë euro të padeklaruara.
Policët nga Njësia Mobile për Masa Kompensuese pranë Departamentit për Punë Kufitare dhe Migracion sot kanë ndaluar në rajonin e Tetovës një autobus “Mercedes”, në pronësi të një agjencie turistike, që qarkullonte në linjën Gjermani–Maqedoni.
Sipas policisë, autobusi drejtohej nga R.F. (37) nga fshati Dobrosht i Tetovës.
Gjatë kontrollit të autobusit, në rimorkio janë gjetur disa bidona për të cilët, sipas MPB-së, nuk kishte dokumentacion dhe leje përkatëse për transport.
Po ashtu, gjatë kontrollit te njëri nga udhëtarët – F.I. (20) nga Tearca – janë gjetur pesë zarfe me valuta të ndryshme në vlerë totale prej 34.965 eurosh.
Nga MPB bëjnë të ditur se paratë janë futur përmes pikës kufitare Tabanoc pa u deklaruar, ndërsa udhëtari nuk posedonte dokumentacion për pronësinë dhe prejardhjen e mjeteve.
Shoferi dhe udhëtari janë arrestuar nën dyshimin për veprën penale “kontrabandë” sipas nenit 278 të Kodit Penal, si dhe për shkelje të Ligjit për Punë Devizore.










