Në listën e prezencës 85 nënshkrime ndërsa në sallën e kuvendit 58 deputetë, kryeparlamentari Xhaferi ndërpreu seancën e 79-të në parlamentin e RMV-së

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, sot seancën e 79-të parlamentare e ndërpreu për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa më pas ka zhvilluar një takim me disa nga liderët e partive politike të mazhorancës qeverisëse.

Në takim, siç njoftoi shërbimi i mediave parlamentare, Xhaferi ka theksuar se të gjithë deputetët në Kuvend janë të barabartë dhe përfaqësojnë qytetarët që i kanë zgjedhur dhe u kanë dhënë mandat.

“Kjo sjellje tregon se për deputetë të caktuar prioritet është diçka tjetër dhe jo ushtrimi i mandatit që u është besuar nga qytetarët”, tha Xhaferi.

Ai tha se është gjithmonë i gatshëm që të fillojë seancat në kohë, nëse deputetët janë të pranishëm në sallë.

Xhaferi poashtu theksoi se nëse ka dallime në qëndrime të caktuara brenda koalicionit, ato duhet të zgjidhen në një nivel tjetër, jo në sallën plenare.

Po ashtu, Xhaferi tha se sipas Vendimit të Kryesisë, urdhërohet që të shtyhen dhe anulohen të gjitha udhëtimet private zyrtare dhe jo thelbësore të deputetëve gjatë muajit korrik për të siguruar funksionimin normal të Kuvendit.

Në seancën e sotme të 79-të të Kuvendit, në listën e deputetëve të pranishëm janë nënshkruar 85 deputetë, ndërsa në sallë kanë qenë të pranishëm 58 deputetë.

Kryeparlamentari Xhaferi nga salla plenare i ka thirrur deputetët që të hyjnë në sallë, në mënyrë që plenumi të vazhdojë punën, ku për shkak të mungesës së kuorumit është dashur ta ndërpresë seancën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu