“Nënë Tereza” hapet me shumë probleme

Dy javë deri në fillimin e vitit akademik në Universitetin “Nëna Terezë”, Ministria e Arsimit ka vendosur që për shkak të mungesës së një objekti të vetin, ky universitet të shfrytëzojë hapësirat e Universitetit të Europës Juglindore në Shkup për të zhvilluar studimet. Ministri i Arsimit dhe shkencës beson se janë pjekur të gjitha kushtet që Universiteti Nënë Tereza të fillojë me të gjitha nishanet, pasi sipas tij, pjesa dërmuese e këtij projekti është realizuar dhe kanë mbetur të rregullohen vetëm pjesët teknike, dhe gjithçka do të rrumbullaksohet. Ai informoi se Komisioni amë ka bërë përzgjedhjen e profesorëve të cilët janë pjesë e kuadrit akademik, ndërkaq është përzgjedhur edhe senati, i cili ka emëruar ish ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Aziz Pollozhanin si rektor të këtij universiteti, mandati i të cilit do të jetë 6 muaj.

Lutfiu mohoi se punësimet janë bërë në bazë partiake, duke thënë se Komisioni amë e ka bërë punën në mënyrë profesionale.

 “Nuk është se është një pjesë e madhe, janë 3 vetë dhe nuk besoj se kjo është pjesa dërmuese e universitetit, megjithatë ne nuk mund ti ndalim ata profesorë të cilët kanë tituj shkencorë që të aplikojnë në një universitet.Ky Ka qenë vendim I komisioneve amë, të pavarur nga kuadrot politik nëse mund ta quaj dhe ato kanë përzgjedhë këto profesorë të cilët kanë tituj shkencorë“, deklaroi ministri Lutfiu.

Megjithatë, një pjesë e kuadrit të përzgjedhur deri tani ka të kaluar politike, duke filluar që nga rektori i këtij universiteti, ish funksionar i partisë së Ahmetit. Në listën e stafit akademik të këtij universiteti bëjnë pjesë edhe ish kryetari i Komunës së Studeniçanit, Fati Iseni, përgjegjësi për arsimin e lartë në Ministrinë e Arsimit dhe shkencës, Agim Rushiti, Ish zv/ministri i mbrojtjes dhe ish ministri i vetëqeverisjes lokale, Rizvan Sulejmani si dhe Zëdhënësja e komunës së Çairit, Kaltrina Zekolli, është një ndër emrat që poashtu bën pjesë në listën e stafit akademik të këtij Universiteti.

Emrat e tjerë që bëjnë pjesë në këtë listë janë, Bekim Fetai, Zana Aliu, Agron Kurtishi, Bistra Netkova.

Bekim Fetai – Informatikë, profesor në UEJL
Zana Aliu – Teknologji ushqimore
Agron Kurtishi – Komunikim, profesor në UEJL
Bistra Netkova – Juridik, profesore në UEJL

Ministri Lutfiu, nuk përjashtoi mundësinë e shkrirjes së Universitetit të Europës Juglindore në Universitetin “Nëna Terezë”, megjithatë për këtë gjë ai tha se duhet të diskutohet më vonë dhe se ky është një proces që duhet të ndodh natyrshëm. Ndërkaq sa i përket mungesës së kuadrit akademik, Lutfiu tha se ky është një numër i mjaftueshëm për të filluar një vit akademik, dhe se së shpejti pritet konkrus i dytë për plotësimin edhe të 39 vendeve të tjera të zbrazëta të lira.

“Në fakultetin e shkencave sociale kemi 5 profesorë dhe 3 asistentë, fakulteti I shkencave informatike 4 profesorë dhe 6 asistentë, fakulteti I shkencave teknologjike 5 profesore dhe 3 asistentë, fakulteti I shkencave teknike 7 profesorë dhe 7 asistentë, fakluteti ndërtimtarisë 3 profesorë dhe 2 asistentë….Besoj se kuadri është I mjaftueshëm, për të nis një vit akademik, kemi edhe 39 vende të lira, sigurisht do të ketë konkurs të dytë për plotësimin e këtyre vendeve”, tha Lutfiu.
Buxheti i paraparë për universitetin “Nëna Terezë” sipas Lutfiut është rreth 80 milion denarë. Janë paraparë kuota për 1220 studentë në të gjitha pesë fakultetet, ndërkaq regjistrimi online do të zgjasë deri më 15 tetor. Lutfiu informoi se ndërtimi i objektit të përhershëm të këtij universiteti do të fillojnë në vitin 2017, në hapësirat e ish kazermës ” Ilinden” .


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu