Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Iranit e kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi si marrëveshje fillestare për paqe, me synim për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit më 17 qershor gjatë një darke nën dritën e qirinjve në Pallatin e Versajës, pas samitit të G7.
Memorandumi hyn në fuqi menjëherë.
Një video e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë dhe presidenti francez Emmanuel Macron në platformën X shfaq Trumpin duke e nënshkruar dokumentin.
“Kjo nuk ishte e lehtë”, tha Trump teksa nënshkruante marrëveshjen, derisa Macroni, si mikpritës i ngjarjes, dhe të ftuarit e tjerë, duartrokisnin.
“Kjo marrëveshje hap rrugën për një paqe të qëndrueshme dhe lejon rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”, tha Macron në X.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA, publikoi fotografi që tregojnë presidentin iranian, Masud Pezeshkian, duke e nënshkruar marrëveshjen midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Në fotografi, presidenti iranian shfaq faqet e marrëveshjes para kamerave, ku shihen qartë si firma e tij ashtu edhe ajo e presidentit amerikan.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, Qeveria e të cilit ndihmoi në ndërmjetësimin e marrëveshjes, njoftoi në platformën X se marrëveshja do të hyjë në fuqi menjëherë.
Si masë fillestare për ndërtimin e besimit, Irani do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Uashingtoni do ta heqë bllokadën e vet detare.
Sipas marrëveshjes, Irani gjithashtu duhet ta lehtësojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në këtë rrugë jetike ujore pa pagesë për 60 ditë, gjatë bisedimeve për një kornizë afatgjate detare me Omanin dhe shtetet arabe të Gjirit.
Shtetet e Bashkuara do të fillojnë menjëherë ta heqin bllokadë e tyre detare dhe do ta ta bëjnë këtë plotësisht brenda 30 ditësh.
Zyrtarët amerikanë thanë se marrëveshja tashmë po jepte fryt.
“Për herë të parë në 100 ditët e këtij konflikti, Irani nuk qëlloi ndaj asnjë anijeje”, tha një zyrtar më 17 qershor.
Memorandumi parashikon gjithashtu heqjen e menjëhershme të sanksioneve amerikane ndaj eksporteve të naftës iraniane, duke ofruar lehtësim të madh për ekonominë e vendit.
Për më tepër, Uashingtoni është zotuar ta lehtësojë themelimin e një fondi rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh, të mbështetur nga vendet e rajonit, sapo të arrihet një marrëveshje më e gjerë përfundimtare mbi programin bërthamor të Iranit.
Marrëveshja parashikon gjithashtu heqjen përfundimtare të të gjitha sanksioneve primare dhe sekondare amerikane ndaj Iranit, si dhe lirimin gradual të aseteve të ngrira iraniane, megjithëse zyrtarët theksuan se këto masa do të varen nga përfillja e detyrimeve nga ana e Iranit.
“Ajo që ata e pranuan është se nuk do ta marrin asnjë qindarkë, nëse nuk i përmbushnin detyrimet e veta”, tha një zyrtar./REL










