Bisedimet në Davos mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe përkushtimi i kryeministrave Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras për zgjidhjen e kontestit të emrit, është vlerësuar në Shkup si hapi i parë më konkret për kapërcimin e këtij problemi shumëvjeçar që ka bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Pala greke, nga ana tjetër është zotuar për të mundësuar afrimin e Maqedonisë drejt institucionet evropiane, para se gjithash do të mundësojë inkuadrimin e vendit në disa nisma, ku ishte bllokuar për shkak të kontestit.
Zoran Zaev tanimë me ngulm po kërkon konsensus nacional për këtë çështje ku gjithë elita politike të përfshihet në zgjidhjen e çështjes së emrit.
Agjencia e Lajmeve Zhurnal jo zyrtarisht mëson se Zoran Zaev pasi ti kryen me sukses misionet që ka marrë përsipër si reformat në gjyqësor dhe zgjidhjes së çështjes së emrit, do ta shtri në opinion idenë që në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm të ketë edhe zgjedhje të parakohëshme parlamentare për të forcuar edhe më shumë shumicën parlamentare pas fitores bindëse që korri në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Zhurnal nga burime pranë partive politike mëson se kjo çështje tanimë po diskutohet mes elitë politike por ende nuk është plasuar në opinion sepse njëherit elita politike është e fokusuar që sa më shpejtë të zgjedhë çështjen e emrit me Greqinë dhe të merr ftesë për antarësim.
Në këto gjashtë muaj shpesh disa ligje nuk kanë mundur të votohen sepse nuk ka pasur kuorum në Parlament dhe për këtë është dashur të prolongohen për disa orë seancat. Kjo tregon edhe për brishtësinë që ka kjo shumicë parlamentare në të shumtën e rasteve kur është dashur të votohet për ndonjë ligj apo emërime siç ishte rasti i kryeprokurorit Joveski, ku dy herë nuk patën kuorum dhe me të tretën herë u votua me 61 vota.
Duke pasur parasysh se reitingu po i rritet Kryeministrit Zoran Zaev, LSDM tanimë me të madhe po mendon për idenë e lartpërmendur që bashkë me zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm të mbahen edhe zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, me çka LSDM do të rriste numrin e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.
Për këtë ide partia në pushtet po mendon edhe nga fakti se edhe përkundër bisedimeve intensive për emrin dhe paralajmërimeve për ndryshim të së njejtës, edhe pse ka pasur thirrje për protesta nga partia opozitare, qytetarët nuk iu janë përgjigjur, kështu duke bërë me dije se tanimë edhe ata duan integrimin sa më të shpejtë të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.










