Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi vendet evropiane për rreziqet që, sipas tij, paraqet Irani për sigurinë ndërkombëtare. Ai i bëri këto deklarata të martën, gjatë një takimi me kryeministrin çek, Andrej Babiš, në zyrën e tij në Jerusalem.
Netanyahu theksoi se aftësitë ushtarake të Teheranit, aktivitetet që ai i cilësoi si terroriste dhe ambiciet bërthamore iraniane nuk përbëjnë kërcënim vetëm për Izraelin, por edhe për shtetet evropiane.
“Raketat e Iranit nuk ndalen në kufijtë e Izraelit, as terrorizmi i tij dhe as ambiciet e tij bërthamore. Evropa nuk është spektatore. Evropa është një shënjestër”, deklaroi kryeministri izraelit.
Gjatë deklaratës së tij, Netanyahu kritikoi edhe udhëheqësit evropianë që kanë mbajtur qëndrime të ndryshme nga ato të qeverisë izraelite, ndërsa vlerësoi mbështetjen e homologut çek.
“Ka udhëheqës të dobët që i kthejnë shpinën Izraelit, ndërsa ju qëndroni me kokën lart. Ju nuk ndiqni turmën, nuk tërhiqeni përballë terrorizmit, por ndiqni ndërgjegjen tuaj”, u shpreh Netanyahu, duke iu drejtuar Babišit.
Vizita e kryeministrit çek në Jerusalem nisi me një takim kokë më kokë me Netanyahun, gjatë të cilit dy udhëheqësit zhvilluan bisedime dypalëshe. Më pas, takimi vijoi në një format të zgjeruar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë qeveritarë të të dy vendeve.
Në bisedime morën pjesë ministra përgjegjës për punët e jashtme, mbrojtjen, shëndetin publik dhe sportin, si dhe përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe diplomacisë. Të pranishëm ishin gjithashtu kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sekretari ushtarak i kryeministrit izraelit dhe ambasadorët e të dy vendeve.
Deklaratat e Netanyahut pasqyrojnë qëndrimin e qeverisë izraelite ndaj Iranit, të cilin Izraeli e konsideron një nga kërcënimet kryesore për sigurinë e tij dhe të rajonit.










