Neurokirurgu italian thotë se Schumacher nuk është më i njëjti person që ne e mbajmë mend

Legjenda e Formula 1, Michael Schumacher, nuk është më ashtu si e mbajmë mend, ai ka ndryshuar shumë dhe pamja e tij është përkeqësuar pas aksidentit të tmerrshëm gjatë skijimit – ka deklaruar një neurokirurg i njohur.

Në dhjetor të vitit 2013, ish-piloti i Ferrarit pësoi një aksident gjatë skijimit në Alpet franceze, me ç’rast e goditi kokën në një gur. Bashkë me të, ishte djali i tij, Mick, i cili po ashtu po ndjek një karrierë në Formula.

Si e dominoi Michael Schumacher botën e Formula 1
7 tituj botërorë të Formula 1 – më shumë se çdo pilot tjetër
91 gara të fituara – sërish më shumë se kushdo tjetër
51 gara të fituara pa nisur nga ‘pole position’ – një tjetër rekord
13 është numri i garave të fituara në vitin 2004 – një rekord për më së shumti fitore të regjistruara brenda një viti
8 fitore të regjistruara në garën për çmimin e madh të Francës – askush nuk ka regjistruar më shumë fitore në një pistë të caktuar

Pas një kohe të gjatë, 51-vjeçari ka dalë nga koma, mirëpo kirurgu Nicola Acciari që jeton dhe vepron në Bologna të Italisë, thotë se Schumacher tash është një person krejt ndryshe nga ai që e mbajmë mend.

“Duhet ta imagjinojmë një person shumë ndryshe nga ai që e mbajmë mend në pista, me një ndryshim dhe përkeqësim organik, muskulor dhe në strukturën skeletore. E gjitha kjo si pasojë e traumës së trurit që ka pësuar”, ka thënë Acciari për gazetën italiane, Contro Copertina.

Kampioni i pesëfishtë i botës nuk është parë që nga koha e aksidentit, ndërsa për të kujdesen gruaja, Corinna dhe dy fëmijët e tyre, Gina-Marie (22 vjeçe) dhe Mick (20 vjeçar).


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu