Guvernatori i Nju-Jorkut Endru Kuomo, deklaroi se janë duke u testuar rreth 100 raste të sindromës që i prekë enët e gjakut dhe organet dhe ka simptoma të ngjashme me sëmundjen-Kavasaki dhe shokun toksik. Një sindrom i tillë inflamator, i lidhur me koronavirusin, është zbuluar tek qindra fëmijë në shtetin amerikan Nju-Jork, tre prej të cilëve kanë vdekur.
Kuomo kërkoi të gjitha spitalet gjatë testimit të Kovid-19 t’u japin përparësi fëmijëve që shfaqin simptoma të tilla. Në qytetin Nju-Jork, ku janë paraqitur të paktën 52 raste të fëmijëve me simptoma të tilla, kryetari Bill de Blazio dje u bëri thirrje prindërve që të këshillohen menjëherë me pediatër nëse fëmijët e tyre kanë simptoma që përfshijnë temperaturë të vazhdueshme, skuqje, dhimbje barku dhe të vjella.
Në pjesë të tjera të Amerikës dhe Evropës, gjithashtu janë shtruar në spital fëmijë me këtë sëmundje, që tani quhet sindrom multisistemik inflamator pediatrik (SMIP).
Rreth 23 për qind e rasteve kanë të bëjnë me fëmijë nën moshën pesë vjeç, rreth 29 për qind fëmijë midis moshës 5 deri në nëntë vjeç, afro 28 për qind midis moshave 10 dhe 14 vjeç dhe 16 për qind midis moshës 15 dhe 19 vjeç.










