Neymar plas “bombën”: Nuk dua të luaj për PSG-në, bëra gabim që ika nga Barça

Paris San Zhermen është një prej klubeve më të pasura në Europë. Financimi nga sheikët e Lindjes së Mesme ka sjellë një rritje të ndjeshme në rang ndërkombëtar, por klubi që financohet nga Al Khelaifi ende nuk po ia del të shkojë deri në gjysmëfinale të Championsit, pavarësisht shpenzimeve që shkojnë në miliarda euro.

Për të mundësuar Champions League, sheiku solli dy vite më parë një prej lojtarëve më të mirë në botë, Nejmar, por as talenti brazilian nuk arriti ta bëjë diferencën, madje as talenti francez i kombëtares së “gjelave”, Kilian Mbape, nuk e afroi PSG-në me objektivat madhore, për këtë arsye Nejmar po e sheh veten të tepërt dhe dje ka shpërthyer publikisht në qëndrime ekstreme, duke thënë hapur se nuk dëshironte të luante më tej me Paris San Zhermen. Pra, Nejmar Junior nuk bën hapa pas. Braziliani është i vendosur për t’u larguar nga PSG-ja.

Dëshira e tij është të braktisë qytetin e dritave për t’u kthyer te Barcelona. Deklaratat e Al Khelaifit për “France Football” si: “askush nuk e detyroi të firmoste këtu”, apo “dua që lojtarët të jenë të përgatitur për të mbrojtur nderin e kësaj fanelle”, nuk dhanë asnjë rezultat. Përkundrazi dhe gjithçka e ka një shpjegim. Sikurse njofton “El Mundo Deportivo”, prej muajsh Nejmar po këmbëngul për t’u kthyer te Barcelona. Mesazhi tashmë ka shkuar drejtpërdrejt te pronari i PSG-së, Al Khelaifi.

“Nuk dua të luaj më për PSG. Dëshiroj të kthehem në shtëpinë time, nga ku kurrë nuk duhej të largohesha”, është shprehur Nejmar në mënyrë të qartë e të prerë, duke qenë dukshëm i mllefosur me atë që ka ndodhur me të në gjirin e PSG-së. Kjo kërkesë e 27-vjeçarit, drejtuar presidentit të klubit francez shpjegon edhe ndryshim e diskursit të PSG-së ndaj futbollistit, që deri para pak kohësh konsiderohej i pashitshëm. Informacioni i “L’Equipe”, që tregonte se PSG është gati ta shesë Nejmarin për një ofertë XXL dhe intervista e Al Khelaifit, që i hapte derën e largimit brazilianit, duke vlerësuar më shumë sulmuesit tjetër, Kilian Mbape, janë indicie që mesazhi i “yllit” të “Seleçaos” është marrë nga drejtuesit me të lartë të klubit.

Edhe trajneri gjerman Thomas Tuhel, nuk po mundet më të zgjidhë problemet që i ka shkaktuar Nejmar në dhomat e zhveshjes, duke dhënë pëlqimin për shitjen e tij. mbetet vetëm të saktësohet dita e largimit dhe shifra financiare që do të shoqërojë Barcelonën për të fituar sërish brazilianin Nejmar. Mundet që edhe Reali i Madridit të jetë një destinacion i mundshëm, por është fakt dhe nga vetë deklaratat ë ka bërë Nejmar, se ai dëshiron të rikthehet në Katalonjë, pra në stadiumin “Kamp Nou”, për të luajtur për ngjyrat blaugrana të Barcelonës, me Mesin dhe shokët e tjerë të Barçës, ku ai me aq shumë dashuri ka luajtur disa sezone më parë dhe shpreson të rikthehet në majë në këtë skuadër ëndrrash.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu