Ylli brazilian i Paris Saint-Germainit, Neymar, ka sqaruar se ai ishte larguar nga Barcelona në vitin 2017 pasi që dëshironte sfida të reja, e jo për shkak të Topit të Artë apo për shkak të Lionel Messit.
Neymari kishte qenë afër kthimit në Barcelonë gjatë afatit kalimtar të verës, përkundër që para dy vjetësh u transferua në Paris Saint-Germain për 222 milionë. Në fund, ky transferim, të cilin thuhet se e kërkoi vetë Lionel Messi, dështoi.
Kur Neymari u largua nga Barcelona në PSG për një shumë rekorde në verën e vitit 2017, mediat spanjolle pretendonin se 27-vjeçari ishte larguar sepse ai dëshironte të mos ishte më nën hijen e Messit.
“Unë u largova sepse doja synime të reja. Nuk kishte të bënte asgjë me Topin e Artë apo me të qenët në të njëjtën skuadër me Lionel Messin”, ka thënë Neymari, në një intervistë të dhënë për France Football.
“Ai është një lojtar i mrekullueshëm, më i miri që e kam parë ndonjëherë duke luajtur. Nuk është befasi që ai i ka gjashtë Topa të Artë, duhet të ekzistojë një Top i Artë vetëm për të. Gjithmonë do ta dua Messin”.
Neymari i zbuloi në këtë intervistë edhe synimet e tij, individuale dhe kolektive, për të ardhmen e tij në futboll.
“Unë dua ta fitoj titullin e Ligës së Kampionëve me Paris Saint-Germainin, por ajo që e dua më së shumti është ta fitoj trofeun e Kupës së Botës me Kombëtaren e Brazilit”, theksoi Neymari.
“Do të më pëlqente shumë ta fitoja edhe Topin e Artë, por kjo gjë nuk më shqetëson. Mund të vijë vetvetiu te unë… ose mund të mos vijë fare”.










