Nga dita e hënë fëmijët e pa vaksinuar nuk do të pranohen në çerdhe

Nga dita e hënë, 11 Mars, çerdhet nuk do të pranojnë asnjë fëmijë të pa vaksinuar ose të pavaksinuar plotësisht me DI-Te-Per vaksinën. Inspektorati Sanitar Shëndetëso bëri të ditur se ka marrë vendimin e ministrit të Shëndetësisë, bazuar në rekomandimet e Komisionit për Sëmundjet Infektive, për kryerjen e inspektimeve të jashtëzakonshme dhe ndalimin e pranimit në institucionet parashkollore të fëmijëve, të cilët nuk janë të vaksinuar ose nuk janë të vaksinuar plotësisht. Sipas Inspektoratit shtetëror, personat përgjegjës në institucionet parashkollore do të duhet të përgatisin listën e të gjithë fëmijëve të pavaksinuar me Di-Te-Per.

“Inspektimet e jashtëzakonshme do të nisin më 11 mars, me vendimin për ndalimin e pranimit të fëmijëve të pa imunizuar ose që nuk janë të imunizuar plotësisht me DTP, si dhe masa të tjera të urdhëruara epidemike. Fëmijët me sëmundje të tjera infektive të mos pranohen, ndërsa për çdo mungesë të shtuar të njoftohet Qendra për Shëndet Publik”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Inspektoratit Sanitar Shëndetësor”, thonë nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor.

Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë pranoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive për parandalimin e përhapjes së kollës së keqe. Ministri I Shëndetësisë Ilir Demiri, me vendim ka urdhëruar Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor të veprojë në përputhje me kompetencat ligjore të parapara me Ligjin për mbrojtjen e popullsisë nga sëmundjet infektive, si dhe të kryejë inspektime të jashtëzakonshme, respektivisht inspektim të vërtetimeve të vaksinimit të siguruara nga pikat e vaksinimit për marrjen e vaksinës kundër kollës së keqe.

Gjatë javës, zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zllate Mehmedoviq, bëri të ditur se janë mbi 120 persona të infektuar me kollën e keqe, prej të cilëve numri më i madh janë në Shkup. /Alsat.mk


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu