Fondacioni “ALSAR” Riboton “Kalendarin Kombiar”

TIRANË(AA) - Kryetari i Shoqatës Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), Mehdi Gurra(në foto), ka reaguar pas komenteve dhe pretendimeve të fundit në rrjetet sociale në lidhje me aktivitetet e TIKA-s. Ai në një prononcim për Anadolu Agency (AA) shprehet se me komentet dashakeqëse synohet të hidhet baltë mbi TIKA-n, me qëllimin sipas tij për të dëmtuar imazhin dhe reputacionin e këtij institucioni prestigjioz si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera shqiptaro-turke. ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Shoqata humanitare dhe kulturore ALSAR risjell në duart e studiuesve dhe lexuesve shqiptarë në origjinal një nga veprat më madhore të Rilindjes sonë Kombëtare

Fondacioni “ALSAR”

Është një fondacion i emërtuar “Alternativa e së Ardhmes” (ALSAR), i cili vepron që prej vitit 2006. ALSAR është pjesë e strukturës së shoqërisë civile shqiptare që operon në tri fusha, në fushën humanitare, arsimore dhe në atë të botimeve. Kjo organizatë drejtohet nga një bord specialistësh të fushave të ndryshme, me në krye presidentin e saj, teologun Mehdi Gurra.

Në këta 11 vjet të krijimit ky fondacion ka arritur të realizojë 440 projekte. Nga këta: 150 projekte humanitare ku kanë përfituar 110.000 familje të kategorive të njerëzve në nevojë; 20 projekte në fushën sociale për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve, në institucionet e përkujdesjes sociale; 100 projekte në arsim, që konsistojnë në dhurimin e çantave shkollore, pajisjeve didaktike për 15000 nxënës të shkollave publike, në 10 qytete të ndryshme të vendit, restaurimin e mjediseve të shkollave, ofrimin e bursave të studimit dhe atyre të ekselencës nga i cili kanë përfituar 350 studentë, si dhe zhvillimin i kurseve të kualifikimit falas.

Por një kontribut të veçantë ALSAR ka dhënë në fushën e kulturës për promovimin e trashëgimisë dhe vlerave kulturore shqiptare nëpërmjet studimeve, konferencave, seminareve shkencorë, botimeve etj. Janë botuar deri tani gati 120 tituj librash dhe punimesh të karakterit enciklopedik, shkencor, historik, kulturor, social dhe fetar. Ajo që bie në sy, është përzgjedhja librave që botohen, sidomos ato që kanë të bëjnë me historinë e Ballkanit dhe të Shqipërisë, një histori e parë nga larg, e parë ftohtë dhe pa ndikime politike.

Në librat që ka përkthyer dhe botuar ALSAR studiuesit shqiptar u ofron një lloj literature ndryshe, me këndvështrim të paanshëm, siç janë dy librat e studiuesit amerikan Justin McKarthy “Historia e popullsisë së Lindjes së Mesme dhe Ballkanit”, “Vdekje dhe dëbim”; libri me autor Fikret Karçiç “Muslimanët e Ballkanit, ‘Çështja Lindore’ në Shekullin e 20-të”, libri i prof.dr, Mehmet Maksudoglu “Historia Osmane dhe institucionet” etj.

Kalendari “i ri”

Botimi i ri i “Kalendarit Kombiar” me një tirazh prej 500 kopjesh është bërë në origjinal, pa i ndryshuar asgjë, me alfabetet e dikurshëm, me frontespicet, pikturat dhe grafikat e dikurshme. Të vetmet ndryshime, po t’i quajmë kështu, janë se nga 22 vëllime është përmbledhur në 4 vëllime me letër dhe lidhje speciale për të zvogëluar vëllimin; dhe “ndryshimi” i dytë, është se çdo vëllim hapet me nga një parathënie të re, duke futur si parathënie edhe shkrimin e Mit’hat Frashërit, botuar në revistën “Minerva”, nr. 23-24, 1934, tri ditë pas vdekjes së Kristo Luarasit.

Studiuesit dhe lexuesit shqiptarë duhet t’i jenë mirënjohës veçanërisht dy vetave për botimin e Kalendarit ë “ri” Kombiar, zotit Mehdi Gurra, që është marrë dhe e ka ndjekur personalisht në çdo proces të botimit, duke u marrë edhe me detajet më të vogla, me qëllim për të nxjerrë një vepër cilësore; dhe personit të dytë, prof. Genci Luarasit, për një punë skrupuloze për grumbullimin, ruajtjen, sistemimin dhe përgatitjen grafike të materialit.

Si për të gjitha botimet e ALSAR, do të veprohet edhe për “Kalendarin Kombiar”: ai nuk do të shitet, por do të shpërndahet në formë dhurate nga fondacioni, ku prioritet do të ketë Biblioteka Kombëtare, ajo e Akademisë së Shkencave dhe bibliotekat e institucioneve të tjera shkencore dhe kulturore. Po kështu, falas do të jetë edhe për studiuesit, njerëzit me interesa shkencore dhe lexuesit e thjeshtë që e duan dhe e ndjekin librin.

Ndër punët e mira që ka bërë Biblioteka Kombëtare, është edhe “botimi” elektronik i “Kalendarit Kombiar”. Nga 22 vëllime janë dixhitalizuar 14 vëllime. Edhe pse e dinte këtë fakt, zoti Gurra nuk u tërhoq. “Letrën, librin nuk e zëvendëson asgjë”, thotë ai.

Për botuesin Gurra, me botimin e “Kalendarit…” në origjinal është bërë gjysma e punës, pasi, siç thotë, “Kalendari…” do deskriptuar, dmth, krahas gjuhës dhe alfabetit së vjetër, do sjellë në gjuhën dhe alfabetin aktual. Por që të bëhet një punë e tillë duhet një angazhim gjithëpërfshirës shkencor, duhen edhe fonde. ALSAR është i gatshëm të ndihmojë në këtë projekt.

“Kalendari Kombiar (1897-1916, 1926,1928)”

“Kalendari Kombiar” (1897-1916, 1926,1928), botim i përvitshëm enciklopedik kulturor, letrar e politik i shoqërisë “Dëshira” të Sofjes. Numri i parë doli më 1897 me titullin “Ditërrëfenjësi” (kalendari) Kombiar” dhe nga viti 1901 e deri në fund u titullua “Kalendari Kombiar”. Gjatë viteve 1897-1900 u drejtua nga Kristo P. Luarasi me Kosta Trebickën dhe më pas edhe me Nikolla Naçon. Pas vitit 1900 botues i vetëm ishte Kristo Luarasi deri në numrin e fundit. Në vitin 1909-1910 u botua në Selanik; më 1911-1916 përsëri në Sofje. Më 1926 rinisi botimi në Tiranë nën drejtimin e Mit’hat Frashërit (Lumo Skëndos), i cili mundi të nxjerrë një numër të fundit në vitin 1928. E gjithë seria përbëhet prej 22 vëllimesh. Në këto botime kanë shkruar artikujt e tyre shumë pena të Rilindjes shqiptare, arbëreshë, etj. sipas tematikave të cilat zgjidheshin nga botuesi. Për rritjen e nivelit kulturor intelektual të lexuesve, krahas autorëve shqiptarë, botuesit kanë përzgjedhur materiale të autoreve të huaj, gjithnjë me një sens për të rritur ndjenjën kulturore dhe kombëtare shqiptare. Vihen re edhe materiale të përkthyera nga historia, gjeografia,shkencat e natyrës, teknike etj, ku një peshë të madhe ka patur Mit’hat Frashëri në saje të arsimit dhe kulturës së tij gjerë. Me vlerë janë përmbledhjet e bëra të ngjarjeve të vitit të mëparshëm, reklamat e lajmërimet dhe një risi ishte botimi i listës së ndihmëtarëve financiarë anë e kënd botës, që shërbente si një lidhje mes shqiptare që nga Rusia në Argjentinë dhe Australia në Amerikën e Veriut. “Kalendari Kombiar” është shkruar me tre alfabete që përdoreshin në atë kohë. Pas vitit 1908 është shkruar me alfabetin e Kongresit të Manastirit që përdoret edhe sot.

PROGRAMI I CEREMONISE

Në këtë ceremoni hapjen do e bëjë Presidenti i Fondacionit “ALSAR” z. Mehdi Gurra, më pas do të vazhdojë:

Prof.Dr. Ferit Duka me temë: “Një Tribunë e Mendimit Kombëtar Shqiptar”,

Prof.Dr. Hysen Matoshi, “Kalendari Kombiar Thesar i Rilindjes Kombëtare“

Kumtesa 3 vazhdon me Prof.Dr. Seit Mansaku, “Gjuha Shqipe dhe Shkolla Shqipe në Faqet e Kalendarit Kombiar”

Prof.Dr. Zeqir Kadriun, “ ‘Mbrothesia’, Çerdhe e Veprimtarisë Patriotike e Atdhetare të Kristo Luarasit”

Prof.Dr. Luan Malltezi, “Mit’hat Frashëri dhe Kalendari Kombiar”

Në fund, nipi i Kristo Luarasit, Prof.Dr. Genci Luarai, “Ndihma Kulturore e Perandorisë Austro-Hungareze dhe Mirënjohja Shqiptare”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu