Nga pista e aeroportit të Kabulit janë ngritur avionët e fundit amerikanë, raporton AP duke cituar një roje të talebanëve.
Pas largimit të amerikanëve, raportohet se talebanët festuan me breshëri armësh rreth e qark kryeqytetit afgan për të shënuar kështu fundin simbolik të luftës që zgjati për 20 vite.
Në Uashington, SHBA konfirmoi tërheqjen e trupave të fundit të cilët kishin afat deri të martën për t’u larguar nga vendi. Hemad Sherzad, një luftëtar taleban i cili qëndronte në aeroport tha se të martën herët pesë avionët e fundit amerikanë u nisën rreth mesnatës.
Kjo do të shënonte fundin e një transporti ajror masiv që ka lejuar më shumë se 116,000 njerëz të largohen që prej se talebanët erdhën sërish në pushtet dy javë më parë.
Në njoftimin e përfundimit të procesit të evakuimit, gjenerali Frank McKenzie, kreu i Komandës Qendrore të SHBA, tha se aeroplanët e fundit u ngritën nga aeroporti i Kabulit në orën 15:29. EDT, ose një minutë para mesnatës në Kabul.
Më herët gjatë të hënës, militantët e “Shtetit Islamik” lëshuan një breshëri raketash në aeroportin ndërkombëtar të Kabulit që po zbrazej me shpejtësi pa dëmtuar askënd. Gjatë gjithë ditës, avionët bënë fluturime pavarësisht sulmit me raketa.









