Pas 19 vitesh përçarje, komuniteti musliman në Serbi drejt bashkimit institucional

E djeshmja ishte një ditë e shënuar për lidershipin musliman në Serbi, rrjedhimisht dhe për bashkësinë e besimtarëve muslimanë atje.

Në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame në Novi Pazar, ose ndryshe në Sanxhak, u nënshkruar Karta mbi Rivendosjen e Unitetit të Bashkësisë Islame, një dokument që përfaqëson një nga hapat më të rëndësishëm drejt pajtimit dhe rivendosjes së një kuadri të unifikuar institucional për muslimanët në Serbi.

Nënshkrimi i Kartës pasoi muaj të tërë bisedimesh, takimesh dhe marrëveshjesh mbi parimet mbi të cilat duhet të bazohet uniteti i ardhshëm i Bashkësisë Islame.

Marrëveshja u nënshkrua nga përfaqësuesit e të dy bashkësive islame, në prani të një grupi biznesmenësh dhe figurash publike nga Sanxhaku të njohur si myslihunë, të cilët do të veprojnë si arbitra dhe garantues të unitetit të procesit.

Kjo është një ngjarje që konsiderohet një moment historik në procesin e kapërcimit të përçarjes që ka ndodhur në Serbi që nga viti 2007, kur ajo u nda në dy bashkësi islame, Bashkësinë Islame të Serbisë dhe Meshihatin e Bashkësisë Islame në Serbi.

Ky zhvillim shënon fundin e një pjese të rëndësishme të procesit që synon kapërcimin e mosmarrëveshjeve për vite me radhë dhe kanë lënë pasoja të thella midis besimtarëve.

Karta përmban disa parime dhe udhëzime sipas të cilave procesi i bashkimit institucional duhet të vazhdojë, duke ruajtur autonominë e Bashkësisë Islame dhe duke respektuar interesat e të gjithë muslimanëve në Serbi.

Karta thotë se të gjithë anëtarët e besimit islam në Sanxhak dhe Serbi, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare, i përkasin një Bashkësie Islame.

Pika e dytë përcakton që selia e Bashkësisë Islame është në Novi Pazar dhe se ajo ka lidhje të padiskutueshme kulturore dhe kombëtare me Sarajevën dhe Reisul-ulemanë si udhëheqësin suprem fetar.

Sipas statutit, Bashkësia Islame në Serbi udhëhiqet nga Myftiu i Sanxhakut, i cili është kryetar i Meshihatit të Bashkësisë Islame në Serbi. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu