Nis zbatimi i marrëveshjes për dokumentet e identifikimit, situata në veri të Kosovës e qetë, KFOR në terren

Qytetarët nga Kosova që udhëtojnë në drejtim të Serbisë, nga sot, lëvizin lirisht, pa pasur nevojë për dokumente shtesë. Marrëveshja e 27 gushti ka nisur të zbatohet këtë të hënë në pikat kufitare të Jarinjës dhe Merdares.

Raportohet për një situatë të qetë. KFOR vazhdon të jetë i stacionuar nëpër pika të ndryshme përgjatë rrugës që të çon në Jarinjë.

Marrëveshja për heqjen e dokumenteve për hyrje-dalje u arrit në mesin e tensioneve Kosovë-Serbi, pas vendosjes së barrikadave nga serbët më 31 korrik në veri, duke bërë që diplomatët amerikanë dhe evropianë të shtonin angazhimin e tyre për arritjen e një marrëveshje për të shmangur dhunën.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se në rast të mos zbatimit të marrëveshjes nga pala serbe, Prishtina zyrtare do t’i vendosë menjëherë masat reciproke, të cilat i kishte paralajmëruar në qershor.

Sa i përket masës tjetër, atë të regjistrimit të automjeteve, autoritetet kosovare kërkojnë nga pronarët e automjeteve me targa të tilla që t’i konvertojnë ato në RKS brenda një periudhe prej 61 ditësh.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu