Një Big Brother pa Arbanën? Moderatorja e njohur ka disa fjalë për të thënë para nisjes së BBVA 3

Në prag të nisjes së edicionit të tretë të Big Brother VIP Albania, Arbana Osmani, figura e njohur që kryesoi si moderatore dy edicionet e mëparshme, ka shprehur mbështetjen e saj ndërsa spektakli hyn në një kapitull të ri.

Pavarësisht se nuk do të jetë ajo që do të udhëheqë formatin kult të këtij viti, Arbana ka treguar mirënjohje dhe vlerësim për ata që janë pjesë e rrugëtimit të saj.

Me një ndjenjë nostalgjie dhe mirënjohjeje, Arbana ka publikuar në profilin e saj të Instagramit fotografi të cilat pasqyrojnë momentet e saj si prezantuese e BB VIP Albania ndër vite, një eksperiencë që ajo përshkruan si “aventurë e jashtëzakonshme televizive”.

Në postimin e saj, Arbana i ka dhënë falënderimet e saj të përzemërta të ndjerit Dritan Hoxha (themeluesit të Top Channel), që pati besim në të kur askush tjetër nuk e bëri, dhe Sarës dhe Lorit, me të cilat bashkëpunoi për të krijuar magjinë që mbajti shqiptarët të ngjitur në ekran për muaj me radhë.

Arbana nuk ka harruar të përmendë dhe të urojë suksese Ledion Liços, prezantuesit të cilit i është besuar moderimi i edicionit të tretë. Miqësia dhe respekti që ajo ndan për Ledionin reflektohen në fjalët e saj të ngrohta dhe inkurajuese, duke vënë theksin në rëndësinë e mbështetjes mes kolegëve në industrinë e televizionit.

Arbana gjithashtu ka ndjerë nevojën të lëvdojë punën e stafit televiziv duke pohuar se ata do të shndrisin në detyrat e tyre si gjithmonë, ndërsa ajo paralajmëron një mbrëmje spektakolare për shikuesit e BB VIP Albania.

Përndryshe, fituesit e dy edicioneve të mëparshme të Big Brother VIP Albania janë këngëtari Luiz Ejlli (BBVA 2) dhe balerini Ilir Shaqiri (BBVA 1).


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu