
Plumbat që u qëlluan në tubimin parazgjedhor të Donald Trump plagosën kandidatin republikan, vranë një person nga audienca dhe plagosën rëndë një tjetër. Por plaga më e madhe ishte në strukturën sociale dhe kulturore të një kombi të ndarë, shkruan në komentin e tij reporteri i BBC Anthony Zurcher. Ngjarjet në Butler, Pensilvani shkatërruan iluzionin dekada të vjetër të sigurisë në politikën amerikane.
Që nga John Hinkley Jr. u përpoq të vriste Ronald Reganin në vitin 1981, nuk ka pasur kurrë një akt kaq dramatik dhune të drejtuar kundër një presidenti ose kandidati presidencial. E gjithë kjo të kujton një kohë më të errët në historinë e SHBA-së, më shumë se gjysmë shekulli më parë, kur u vranë dy vëllezërit Kennedy, njëri president dhe tjetri kandidat për president.
Ndikimi në zgjedhje
Është e vështirë të parashikohet se çfarë ndikimi do të kenë ngjarjet e së shtunës në Amerikë dhe në diskursin e saj politik. Tashmë ka pasur thirrje nga të dyja palët për të ftohur retorikën dhe për të vendosur bashkimin kombëtar. Disa orë pas incidentit, presidenti Joe Biden – kundërshtari i mundshëm i Trump në nëntor, doli në kamera në Delaware dhe bëri një deklaratë. “Nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë. Kjo është e sëmurë. Nuk mund të jemi kështu. Ne nuk mund ta lejojmë këtë”, tha Biden.
Ai shtoi se kishte folur me ish-presidentin dhe rivalin e tij politik. Chris LaCivita, menaxheri i fushatës së Trump, tha se “aktivistët e krahut të majtë, donatorët demokratë dhe madje edhe Joe Biden” duhet të përgjigjen në zgjedhjet e nëntorit për “komentet e neveritshme” që ai besonte se çuan në sulmin e së shtunës. Dhuna në Pensilvani do të hedhë padyshim një hije mbi konventën republikane që fillon të hënën.
Simboli i fushatës
Të shtënat me armë zjarri që plagosën Donald Trump riformësojnë plotësisht fushatën zgjedhore amerikane. Për javë të tëra, fotot dhe klipet e sulmit do të kërcejnë me shpejtësinë e dritës në të gjitha anët e mediave sociale. Siç vuri në dukje Politico, kalimi nga zemërimi ndaj sulmit në krenari për përgjigjen e menjëhershme të Donald Trump me një grusht të mbyllur ka efektin e galvanizimit të bazës.
Nga fushata gjyqësore kundër Donaldit te thirrjet e përsëritura të demokratëve për të ndaluar Trump sepse ai është një kërcënim real për demokracinë. Siç vë në dukje Politico, ka të ngjarë që fotografia e Trumpit të plagosur, por luftarak, të bëhet imazhi simbolik jo vetëm i fushatës aktuale elektorale, por i gjithë karrierës së tij politike.
Ndikimi në sondazhe
Edhe tregjet reaguan ndaj perspektivës së rizgjedhjes së Trump duke forcuar dollarin dhe kjo prirje mund të vazhdojë në javën e ardhshme, tha Rong Ren Goh i Eastspring Investments në Singapor. Të shtënat e para të një presidenti ose kandidati partie të SHBA-së që nga atentati i vitit 1981 ndaj presidentit republikan Ronald Reagan mund të ndikojë në ndeshjen zgjedhore të 5 nëntorit midis republikanit Trump dhe demokratit aktual Joe Biden.
“Siç e kujtojmë, popullariteti i Reganit u rrit 22 pikë përqindje në sondazhet pas tentativës për vrasje. Zgjedhjet ka të ngjarë të jenë një fitore dërrmuese për Trump. Kjo potencialisht redukton pasigurinë,” tha Nick Ferres, shefi i investimeve në Vantage Point Asset Mangement.
Lufta civile
Ajo që është sigurisht e qartë është se politika në SHBA ka marrë një drejtim të ri, vdekjeprurës. Gabriele Natalizia, profesoreshë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin La Sapienza të Romës, thotë se tensionet mund të ndizen për shkak të përçarjeve të brendshme, dikur midis veriut dhe jugut, sot midis grupeve të ndryshme etnike si dhe midis brigjeve dhe Amerikës së brendshme, midis elitave të Amerikës së globalizuar dhe klasës punëtore.
“Sot krahët ekstremë të dy partive, të cilat nuk ekzistonin më parë, janë gjithnjë e më të fortë. Prandaj rrezikojmë të kthehemi në vitet e errëta të Kenedit dhe luftës civile të 1861-1865. Ne po shkojmë drejt polarizimit të stilit evropian, por në një vend ku armët qarkullojnë lirshëm, situata është potencialisht shpërthyese”, përfundon ajo.