Një hap larg Euro 2024, Asani dhe Daku i japin 3 pikë Shqipërisë ndaj Polonisë

Në një Air Albania në kapacitetin maksimal dhe nën një atmosferë të zjarrtë, Shqipëria arrin një fitore me aromë Europiani. Kuqezinjtë e trajnerit Sylvinho nuk zhgënjejnë përballë tifozerisë së tyre dhe mposhtën me shifrat 2-0, Poloninë. Nga një gol për pjesë i mjaftoi Shqipërisë që aktualisht është në krye të Grupit E në kuotën e 10 pikëve.

Sa i takon ndeshjes, ajo nisi me të dyja skuadrat duke studiuar njëra-tjetrën teksa kuqezinjtë ishin me fat kur në minutën e 23-të, VAR anuloi golin e polakëve me anë të Kiwior. Një pozicion jashtë loje që nuk ishte vënë re nga arbitri spanjoll në fushë, u kthye nga teknologjia. Një episod që duket se zgjoi lojtarët e kombëtares që në 36-tën provuan me Asllanin.

Por, kjo ishte vetëm një provë pasi një minutë më mbrapa, Jasir Asani “elektrizoi” Air Albanian. Me një goditje mjeshtërore, “alla Roben”, shtangu portierin Szczesny dhe ndezi festën në impiantin kombëtar.

Një gol i cili me siguri nuk do të harrohet lehtë. Me shifrat 1-0 u mbyll pjesa e parë ndërsa në të dytën, kuqezinjtë menaxhuan mirë avantazhin, për të goditur sërish në të 61-tën. Trajneri Sylvinho aktivizon Mirlind Dakun në vendin e Cikalleshit dhe sulmuesit të Rubin Kazan i mjafton një minutë për të dyfishuar shifrat.

Kontrolll dhe mbrojtje perfekte e topit në zemrën e mbrojtjes kundërshtare dhe më pas një goditje që nuk i lë shans Szczesnyt. Festë e jashtëzakonshme për Dakun që heq fanellën dhe shpërthen në gol për golin e parë si kuqezi.

Pjesa e mbetur nuk dhuroi më gola dhe ndeshja përfundoi me shifrat 2-0, një fitore kjo që e afron Shqipërinë me Euro 2024 që zhvillohet në verën e ardhshme. Sfida tjetër është në muajin tetor ku presim Çekinë në Air Albania, ku sigurisht do të duhet edhe një tjetër sforco për ëndrrën e madhe.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu