Getafe po përgatit një tjetër lëvizje befasuese në tregun e transferimeve, pasi synon transferimin e Jadon Sanchos, pas sigurimit të shërbimeve të ish-mbrojtësit të Real Madridit, Dani Carvajal, si lojtar i lirë.
Sipas DAZN Espana, klubi spanjoll ka kthyer vëmendjen nga anësori anglez, i cili është pa skuadër që nga largimi nga Manchester Unitedi gjatë verës.
Trajneri i Getafes, Jose Bordalas, është një admirues i madh i Sanchos dhe do të dëshironte ta kishte në dispozicion futbollistin anglez për sezonin e ri.
Megjithatë, paga e tij, që raportohet të jetë rreth katër milionë euro, përbën një pengesë të rëndësishme për klubin spanjoll.
Getafe tashmë është dashur të gjejë zgjidhje për t’iu përshtatur kufirit të pagave të skuadrës, të përcaktuar nga rregullat financiare të La Ligës, në mënyrë që të realizonte transferimin e Carvajalit. Për këtë arsye, sigurimi i një tjetër futbollisti me kërkesa të larta financiare duket një detyrë e vështirë.
Megjithatë, drejtuesit e klubit po shqyrtojnë alternativa për ta bërë të mundur marrëveshjen. Njëra prej mundësive është shfrytëzimi i lëndimit afatgjatë të Juanmit për të krijuar hapësirën e nevojshme në strukturën e pagave dhe për ta regjistruar Sanchon.
Mbetet të shihet nëse Getafe do të arrijë ta bindë anësorin anglez dhe të gjejë zgjidhjen financiare për një transferim që do të përbënte një tjetër lëvizje të bujshme për klubin./Telegrafi/










