Njeriu i Berlinit në Prishtinë: Ja ç’fiton Kosova nga plani europian

Kosova duhet ta përmbushë obligimin që ka pranuar dhe të propozojë statutin e komunitetit të komunave serbe, tha ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde.

Propozimi i planit gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk parasheh asnjë “republikë serbe në Kosovë”, tha ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde.

“Ekziston një obligim i mëhershëm i Kosovës për të formuar një komunitet të komunave serbe [ZSO]. Megjithatë, haptas dhe shumë qartë e kemi thënë se nuk duam një ‘republikë serbe’ në Kosovë. Ajo që do të dëshiroja tani është që Kosova ta përmbushë obligimin që ka pranuar dhe të propozojë statutin e ZSO-së”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Kosovën.

Sipas fjalëve të diplomatit gjerman, Kosova duhet të tregohet e gatshme për të diskutuar për ZSO-në, transmeton Tanjug.

Siç thotë ai, Gjermania në përgjithësi është e kënaqur me rezultatet pozitive të dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe pret përparim vendimtar.

“Qëllimi është njohja faktike e Kosovës nga Serbia”

I pyetur nëse plani evropian do të zgjidhë problemet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Rode tha se ata e kanë bërë të qartë se ky është vetëm një hap i ndërmjetëm në rrugën drejt normalizimit të plotë dhe gjithëpërfshirës.

“Thelbi i këtij plani është, si të thuash, vendosja e trenit në binarë të rregullt dhe nëse marrëveshja zbatohet, atëherë ne i jemi afruar qëllimit, sepse është një njohje de facto e Kosovës nga Serbia”, pohon Rohde.

Diplomati gjerman thotë se ka një afat kohor për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç do të takohen më 18 mars në Ohër dhe shpresojmë që në dhjetë ditët e ardhshme të ketë një lëvizje vendimtare, për të sqaruar mekanizmin e zbatimit të marrëveshjen. Prandaj kërkojmë që liderët politikë këtu të jenë përgjegjës për këtë situatë dhe të arrijnë një kompromis për të mirën e vendeve dhe të popullit të tyre”, tha ambasadori gjerman.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu