“Non-grata” kush destabilizon Ballkanin, VMRO: Legalisht e respektojmë Marrëveshjen e Prespës

Bllokim i pasurisë dhe ndalesë për hyrje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për persona që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Ky është urdhri ekzekutiv i Presidentit amerikan Joe Biden, e që po konsiderohet si dush i ftohtë për shumë politikanë të Ballkanit. Ndër të tjera theksohet edhe respektimi i dy prej marrëveshjeve më të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut.

Seksioni 2, Pika 3:

Përgjegjës ose bashkëpunëtor, ose i përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në një shkelje, ose akt që ka penguar ose kërcënuar zbatimin, të ndonjë sigurie rajonale, paqeje, bashkëpunimi ose marrëveshjeje ose kornize të njohjes reciproke ose mekanizmi i përgjegjësisë në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018; Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001”, theksoi Xho Bajden – President i SHBA-ve.

Po a e ndjen këtë VMRO-DPMNE-ja si mesazh për vete, duke qenë se nuk pajtohet me Marrëveshjen e arritur në Prespë, me të cilën u ndryshua emri i shtetit. Opozitarët flasin me ton më të zbutur. Antonio Milloshovski thotë se do të respektojnë vullnetin e popullit.

“VMRO-DPMNE nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e Marrëveshjes së Prespës e as në zbatimin e saj, por ne jemi legalistë dhe thjesht atë mënyrë do ta respektojmë si raport ndaj kësaj Marrëveshje. Ajo që na është veçanërisht e rëndësishme, është të respektohet vullneti i popullit”, tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Nga kjo mund të nënkuptohet, se ndonëse VMRO-DPMNE nuk pajtohet me Marrëveshjen, në të ardhmen nuk do të ndërmerrnin veprime kundër të njëjtës.

Zëvendëskryeministri për luftë kundër korrupsionit, Lupço Nikollovski thotë urdhri i Biden është mesazh ndaj gjithë atyre që i bllokojnë ose duan të bllokojnë proceset në shtet.

Gjithsesi se kanë arsye se pse pikërisht kjo theksohet, bashkë me shumë të tjera, siç pashë, edhe në pjesën e korrupsionit, që janë përfshirë si segmente si kushte ose politika të partnerit tonë strategjik, e të cilat ne do t’i zbatojmë në tërësi”, deklaroi Lupço Nikollovski – zëvendëskryeministër për Luftë Kundër Korrupsionit.

Përkushtimi amerikan ndaj Ballkanit u përmend edhe në emisionin e mbrëmshëm ClickPlus në TV21.

Diplomacia amerikane absolutisht konsideron se është koha për stabilizim të Ballkanit dhe të zgjidhen tre shtylla, e ato janë bisedimet me Maqedoninë dhe Shqipërinë me BE-në, dialogu Kosovë-Serbi dhe Bosnjë e Hercegovina”, tha Petar Arsovski – analist.

Vendimi presidentit Biden për zgjerimin e gamës së gjendjes urgjente të shpallur nga qershori i vitit 2001, vjen pas, siç shkruhet, shqyrtimit të gjendjes në ish-Republikat e Jugosllavisë dhe asaj të Shqipërisë në dy dekadat e fundit, duke e përfshirë minimin e marrëveshjeve të pasluftës si dhe korrupsionit të përhapur në qeveri dhe institucione të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, të cilët, siç thuhet, e vështirësojnë përparimi drejt sundimit efektiv dhe demokratik dhe integrim të plotë të rajonit në institucionet transatlantike dhe për këtë paraqesin kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së. Kujtojmë se ditë më parë, ish-kryeministri I Shqipërisë, Sali Berisha dhe familja e tij u shpallën “persona non-grata” për Shtetet e Bashkuara.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu