Nuhiu: MPB-ja shqyrton provat për keqtrajtimin e të akuzuarve në rastin e Kumanovës

Ministria e brendshme ende shqyrton provat për keqtrajtimin e mundshëm të të akuzuarve në rastin e Kumanovës, megjithatë thekson se deri më tani asnjë pjesëtar i policisë nuk është dënuar për këtë vepër penale. Shqetësimi për brutalitetin policor ishte denoncuar nga avokatët e të akuzuarve në këtë rast të cilët pretendojnë se klientët e tyre dhunohen gjatë transportimit të tyre në gjykatë. Zëvendës ministri i brendshëm Agim Nuhiu theksoi se ky dikaster ka ngritur një komision të posaçëm i cili pritet të dalë me rezultate konkrete.

“Deri ë tash ne kemi ngritur procese jemi duke i trajtuar provat, kemi dilema në trajtimin e provave, megjithatë presim përfundimin e komisioneve të cilët e vlerësojnë çështjen e sjelljes së këtyre pjesëtarëve”
Nuhiu tha se do ta ndjek me vëmendje transportimin e të akuzuarve në gjykatë si dhe angazhimin e personave profesionistë në mesin e njësiteve speciale.

“Ne e kemi ngritur këtë shqetësim radhazi sa herë që janë mbajtur seancat të akuzuarit e rastit të Kumanovës . Do të përcjelli me kujdesin me të madh dhe do të angazhojmë që në njësitë speciale sa më shumë të ketë njerëz profesional të cilët sillen në bazë të standardeve dhe rregullave në polici”, tha Agim Nuhiu, zv/ ministër i brendshëm.

Avokatët mbrojtës të cilët pohojnë se për keqtrajtimin e të akuzuarve tanimë procedurë ka ngritur edhe prokuroria, presin zbardhjen sa më shpejtë të rastit me qëllim që fokusi i të gjithëve të përqendrohet te lënda dhe dalja në shesh e të vërtetës.

“Pas gjithë lëndimeve të konstatuara që gjenden edhe në shkresat e lëndës, për të cilat na ka njoftuar edhe gjykatësja, edhe prokuroria ka ngritur procedurë. Avokati i popullit gjithashtu i ka vizituar disa herë të burgosurit, ka konstatuar dhe ka hapur lëndë për keqtrajtim dhe sjellje jo njerëzore ndaj të akuzuarve gjatë transportimit të tyre. Unë mendoj se të gjitha këtyre gjërave duhet tu jepet fund, të akuzuarit edhe pala mbrojtëse të përqendrohen te lënda dhe dalja në shesh të së vërtetës”, u shpreh Asmir Alispahiç, avokat.

Sipas burimeve të Alsat, në bazë të procedurës së ngritur nga Prokuroria, në pyetje janë thirrur disa pjesëtarë të njësive speciale, por procesi ende po hetohet dhe ende nuk ka një epilog. Seanca e radhës për rastin e Kumanovës është caktuar me 6 shtator, ku do të vazhdojnë që dëshminë e tyre të japin prestarët e njësive speciale që kanë marr pjesë në luftimet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë gjatë vitit të kaluar./Alsat-M


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu