Nuk arrihet marrëveshje për prokurorinë në Kuvend, shtyhet ligji

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut nuk kanë arritur marrëveshje për Ligjin për Prokurorinë publike, kështu që debati për këtë reformë në drejtësi ka mbetur të vazhdojë pas pushimeve të verës.

Kryeparlamntari Talat Xhaferi, seancën për këtë çështje e ka caktuar për në fund të muajit gusht, kur edhe përfundojnë pushimet e deputetëve. Pushteti dhe opozita, përkundër debateve të shumta dhe kërkesave nga bashkësia ndërkombëtare, nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje të plotë për të ardhmen e Prokurorisë Speciale, megjithatë, një përparim i vogël është shënuar, sa i përket çështjeve të financimit dhe të përgjegjësisë së prokurorëve.

Sipas propozimit të Qeverisë, Prokuroria Speciale duhet të jetë pjesë e Prokurorisë së re për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Ajo do të ketë mandat në gjithë territorin e shtetit dhe procedimin e të gjithë lëndëve që është duke i zhvilluar Specialja kundër ish zyrtarëve të lartë shtetëror.

Opozita ndërkohë kërkon që Prokuroria Speciale të shuhet ndërsa prokurorët e saj të vendosen nëpër Prokuroritë e rregullta, ndërsa lëndët gjyqësore që kanë për bazë aferën e përgjimeve, të procedohen nga Prokuroria republikane. VMRO DPMNE-ja gjithashtu konteston propozimin e kryeministrit Zoran Zaev, që Prokuroria e re të drejtohet nga Vilma Ruskoska, për të cilën opozita thotë se është “dorë e zgjatur” e pushtetit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu