‘Nuk është vendim i yni’ – LDK reagon ashpër për koalicionin e Përparim Ramës me PDK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në kryeqytet, ku kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka arritur një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, LDK ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në marrëveshje bashkëqeverisëse me PDK-në apo ndonjë subjekt tjetër politik në Prishtinë, duke theksuar se nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak që do të çonte në një marrëveshje të tillë, përcjell “Bota sot”.

Në reagimin e saj, partia ka nënvizuar se çdo marrëveshje politike duhet të kalojë përmes strukturave dhe organeve të saj vendimmarrëse, duke bërë të qartë se asnjë veprim individual nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të LDK-së.

Ky qëndrim vjen në një kohë kur janë ngritur pikëpyetje për raportet dhe koordinimin mes Përparim Ramës dhe Lumir Abdixhikut.

KOMUNIKATË PËR MEDIE

“LDK njofton opinionin publik se nuk ka asnjë marrëveshje me PDK-në dhe asnjë parti tjetër politike në Prishtinë për bashkëqeverisje. LDK nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndërpartiak për ndonjë marrëveshje bashkëqeverisëse politike deri më tani.

LDK ka strukturat e veta partiake, organet vendimmarrëse lokale dhe më gjerë; dhe këto struktura nuk kanë qenë pjesë e asnjë marrëveshjeje qeverisëse.

Çdo marrëveshje tjetër nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si e tillë, ajo nuk krijon obligime politike për LDK-në dhe nuk mund të konsiderohet si vullnet i organizuar i saj. Palët dhe subjektet e tjera politike e dinë shumë mirë se si ndërtohen marrëveshjet ndërpartiake me LDK-në; përmes strukturave zyrtare, transparencës dhe vendimmarrjes institucionale. Çdo përpjekje për ta anashkaluar këtë rrugë nuk përbën marrëveshje me LDK-në.

Për çështjet tjera lokale, LDK do të angazhohet pas zgjedhjeve nacionale. Në këtë fazë, LDK dhe anëtarësia e saj janë të angazhuar plotësisht në procesin e ringritjes së përbashkët. Asnjë agjendë tjetër nuk mund ta zbehë këtë përkushtim.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu