“Deklarata e përbashkët e partive shqiptare është e panegociueshme”, theksoi zëdhënësi i lëvizjes Besa, Faton Fazliu. Ai shtoi se Koalicioni “Rilindje me Besë” nuk do të mbështesë asnjë qeveri që nuk do të pranojë të gjitha pikat e Platformës.
“Për ne si lëvizje Besa të gjitha pikat e deklaratës janë të panegociueshme. Ne do ta mbështesim atë qeveri e cila e pranon deklaratën të plotë, në tërësi”, tha ai.
Qëndrim të njëjtë shprehu edhe kryetari i LR-PDSH-së, Ziadin Sela. Sipas tij, cilado parti që dëshiron mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët duhet paraprakisht të pranojnë platformën.
“Duhet ta kenë të qartë ata dhe të gjithë të tjerët. Nuk ka asnjë kompromis në deklaratën e përbashkët të cilën e kemi nënshkruar , dhe ne do ti qëndrojmë kësaj”, tha Sela.
Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në emisionin klik plus para një muaji tha se pa platformën nuk ka qeveri.
“Gazetari: Ka apo nuk ka qeveri pa këtë platformë?
Ahmeti: Sigurisht pa këtë platformë nuk ka qeveri.”
Ndërkohë deputeti i kësaj partie, Artan Grubi në emisionin e fundit në “Klik plus” theksoi se vetëm tre nga shtatë pikat e përmendura janë të panegociueshme, edhe atë, dygjuhësia, reformat në drejtësi dhe anëtarësimi në BE.
“Pa zyrtarizimin e gjuhës shqipe si të barabartë me gjuhën Maqedonase në RM, një ligj i cili duhet të votohet para se të votohet qeverisja, gjegjësisht kabineti i ri qeverisës, të gjitha këto reforma, bashkërisht me përkrahjen e pa rezervë për vazhdimin e mandatit prokurorisë speciale janë të pa negociueshme, të pa negociueshme janë edhe ato çështje paqësore për shqiptarët integrimi në NATO dhe BE”, tha Grubi.
Edhe kryetari i dorëhequr i PDSH-së, Menduh Thaçi ka komentuar platformën e partive, duke thënë se është ajo është vetëm një folklor politik.
“Ne kemi premtuar që kurrë nuk do të bëhemi palë me BDI-në. Nuk morrëm pjesë në Tiranë, nuk morëm pjesë në këto bisedime me Gruevskin dhe Zaevin”, tha Thaçi.
Partitë nënshkruese të platformës edhe pse paralajmëruan një takim të radhës të përbashkët, ato ende nuk janë takuar.