“Nuk vendosi baner me emrin Maqedonia e Veriut”, ministrja Mizrahi do të paguajë dënim por nuk do të respektojë ligjet

Në këtë konferencë për media të ministres për punë dhe politikë sociale, Rashella Mizirahi, nuk kishte asnjë tabelë, për të cilën në ditët e mëparshme kishte përplasje politike. Ishte vendosur vetëm flamuri i vendit dhe ai i BE-së.

Pas Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimeve kushtetuese, ish-ministrja, Milla Carovska, konferencat për media i mbante me vendosjen e banerit ku shkruante Republika e Maqedonisë së Veriut. Tabela nuk është ndryshuar, vetëm është mbuluar me banerë, ku shkruan Republika e Maqedonisë së Veriut, Ministria për punë dhe politikë sociale.

Ku është baneri dhe pse ministrja e tanishme teknike për punë dhe politikë sociale nuk e shfrytëzon? Ajo thotë se nuk ka gjetur asnjë baner dhe se nuk ka për qëllim për ta ndryshuar tabelën.

“Unë nuk kam hequr asnjë baner, ju jeni këtu që ditën e parë. A keni parë ndonjëherë ndonjë baner. Unë nuk do të vendos asnjë baner. Kjo është tabela e ministrisë dhe para kësaj tabele do të mbahen konferencat për media në këtë ministri”, Mizrahi.

Përveç kushtetutës, Mizrahi e shkel edhe Ligjin e gjuhëve për shkak se shkrimi i tabelës nuk është i përkthyer në gjuhën shqipe, ndërsa sipas këtij ligji, gjithë shkrimet e institucioneve shtetërore duhet të jenë në të dy gjuhët.

“Dënimi është 5 mijë euro. Në rregull, mirë, unë do të dënohem. Unë do të dënohem”, theksoi Mizrahi.

Para disa ditëve ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov, kërkoi shkarkimin e Mizrahit, për shkak të, siç tha ai, mosrespektimit të Kushtetutës, ndërsa kryeministri teknik, Oliver Spasovski, paralajmëroi se do të bisedoj me të.

Nga ana tjetër, nga kabineti i zv.ministres shtesë, Sanella Shkriel, për TV21 thonë se në Ministri ka kushte për mbajtjen e konferencave për media në përputhje me Kushtetutën. Shtojnë se shfrytëzimi i tabelës së vjetër të MPPS është bërë me vetëdije dhe me qëllim të qartë – të dërgohet porosi se nuk pajtohet me Marrëveshjen e Prespës dhe me realitetin e ri të RMV.

Ndryshe, Mizrahi e akuzoi ish-ministren për punë dhe politikë sociale, Milla Carovskën, për, siç tha, shkelje flagrante të Rregullores për punë të Këshillit Ekonomiko-Social. Sipas Mizrahi, në seancën e 35 të këshillit, Milla Carovska ka kërkuar të sillet pikë shtesë në rendin e ditës për ndryshimin e Rregullores për punë, gjë që e kanë kundërshtuar anëtarët e sindikatave që kanë qenë prezente dhe janë prononcuar se nuk kanë qenë të njoftuar për ndryshime në rend të ditës e më pas janë larguar nga seanca.

Gjatë ditës disa herë u munduam të marrim qëndrim nga ish-ministrja për punë dhe politikë sociale, që tani është zv.kryeministre për çështje ekonomike, Milla Carovska, por pa sukses.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu