Numër rekord i të papunëve të regjistruar në SHBA për shkak të pandemisë

Numri i personave pa vende të punës në Shtetet e Bashkuara ka arritur në shifra rekorde, teksa ekonomia përballet me vështirësi për shkak të përhapjes së korona virusit të ri SARS-CoV-2. Presidenti Trump dhe administrata e tij kanë menduar që të nisin zbutjen e masave kundër pandemisë për pashkë, me 15 prill.

Rreth 3.28 milionë persona janë regjistruar për të kërkuar benefite që u takojnë të papunëve për javën e 21 marsit, është thënë në të dhënat e Departamentit të Punës.

Rekordi i kaluar ishte shënuar më 1982, kur numri i të papunëve kishte arritur në 695000.
Kjo rritje e numrit të papunëve i jep fund zgjerimit të ngadalshëm por të qëndrueshëm të tregut të punës.

Ky lajm vjen pas mbylljes së restoranteve, teatrove, hoteleve dhe palestrave në Shtetet e Bashkuara.

Kompanitë e prodhimit të makinave kanë ndalur dukshëm veprimtarinë, përderisa udhëtimet ajrore kanë rënë në mënyrë drastike.

Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është raportuar për 69197 persona të infektuar me korona virusin e ri, derisa rreth 1046 kanë vdekur nga kjo sëmundje.

Sot Senati ka aprovuar edhe pakon gjigante të paprecedentë e ndihmës financiare për amerikanët dhe bizneset e tyre, prej 3.3 trilion dollarësh amerikanë që përfshinë edhe ndihma për të papunët.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu