Numri i vizitorëve të huaj në Turqi rritet me rreth 85 për qind në janar-nëntor

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara, numri i turistëve të huaj që vizituan Turqinë u rrit me 84,8 për qind në bazë vjetore, duke arritur në 42.2 milionë në periudhën janar-nëntor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat e Ministrisë turke së Kulturës dhe Turizmit tregojnë se kjo shifër në periudhën janar-nëntor të vitit 2020 ishte 12 milionë dhe 22.8 milionë në vitin 2021 në mes të pandemisë COVID-19.

Istanbuli, metropoli i Turqisë dhe më i madhi për nga popullsia, ishte qyteti që tërhoqi më së shumti vizitorë të huaj, duke tërhequr 14.7 milionë turistë.

Ai u pasua nga qyteti turistik Antalya me 12.6 milionë vizitorë, ndërsa Edirne, një qytet në veriperëndim të Turqisë në kufi me Bullgarinë dhe Greqinë, mirëpriti 4.3 milionë turistë.

Me 5.5 milionë gjermanët përbënin 13 për qind të numrit të përgjithshëm të vizitorëve të huaj, të ndjekur nga rusët me afro 5 milionë, britanikët 3.3 milionë, bullgarët 2.6 milionë dhe iranianët me 2.2 milionë.

Kur numrit i shtohen edhe shtetasit turq që jetojnë jashtë, shifra 11-mujore shkon në 47.6 milionë.

Vetëm në nëntor, vizitat e jashtme në Turqi u rritën me 44,6 për qind në bazë vjetore në 2.6 milionë. Të parët ishin shtetasit rusë me 312.486, të ndjekur nga bullgarët (232.709), gjermanët (207.340), iranianët (154.643) dhe gjeorgjianët (151.057).


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu