Temperaturat ekstreme po shndërrohen në një nga kërcënimet më serioze për shëndetin publik në Europë. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 200 mijë persona kanë humbur jetën nga shkaqe të lidhura me të nxehtin gjatë katër viteve të fundit, ndërsa shumica e këtyre vdekjeve konsiderohen të parandalueshme.
Drejtori Rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Henri P. Kluge, e cilësoi nxehtësinë ekstreme si një nga pasojat më të menjëhershme dhe më vdekjeprurëse të ndryshimeve klimatike.
Sipas tij, valët e të nxehtit nuk janë më fenomene të izoluara, por po kthehen në një krizë të përsëritur që ushtron presion të madh mbi sistemet shëndetësore, infrastrukturën dhe shërbimet publike.
OBSH u ka bërë thirrje qeverive evropiane të forcojnë masat mbrojtëse për qytetarët, duke hartuar plane të posaçme veprimi kundër të nxehtit. Këto masa përfshijnë krijimin e qendrave të freskimit në qytete, shtimin e hapësirave të gjelbra, mbrojtjen e të moshuarve dhe grupeve më të rrezikuara, si dhe përshtatjen e orareve të punës gjatë ditëve me temperatura të larta.
Sipas organizatës, Europa po ngrohet më shpejt se shumë rajone të tjera të botës. Kombinimi i plakjes së popullsisë, urbanizimit dhe rritjes së temperaturave po shton ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve dhe vdekjeve të lidhura me të nxehtin.
OBSH thekson se masat parandaluese mund të shpëtojnë mijëra jetë çdo vit dhe ka vendosur si objektiv afatgjatë uljen në minimum të vdekjeve të lidhura me temperaturat ekstreme përmes bashkëpunimit të institucioneve dhe zbatimit të politikave të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.









