Kanë kalaur gati tre muaj e nuk ka një marrëveshje për formimin e qeverisë, madje sonte liderët e partive u deklaruan ashpër me akuza ndaj njëri-tjetrit.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët sa i përket marrëveshjes për formimin e qeverisë së re. Rrjedhimisht, këto dy subjekte do të shkojnë në seancën e sotme konstituive, e cila do të fillojë në orën 15:00, pa një dakordim paraprak për bërjen e institucioneve të reja, shkruan sot gazeta Zëri.
Teksa ka njoftuar të mërkurën se do të shkohet në seancë pa marrëveshje me LDK’në, kreu i LVV’së, Albin Kurti, ka treguar përmbajtjen e ofertës që u refuzua nga LDK’ja. Pika e parë, siç tha ai, ka pasur të bëjë me ndërrim të pozitave mes dy subjekteve negociuese. “Dihet se Vetëvendosjes si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë. LDK’së i takon nënkryetari i dytë. Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit dhe kësisoj LDK’ja e ka kryeparlamentarin dhe LVV’ja i ka dy nënkryetarët e Kuvendit”, ka deklaruar ai.
Pika e dytë, siç Kurti ka theksuar, kishte të bënte me çështjen e presidentit. Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës insiston që ta marrë këtë pozitë, sipas tij LVV-së duhet t’i kalojë Ministria e Punëve të Brendshme. “Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë, por nëse LDK-ja insiston që patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK’ja, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri, Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe të korrupsionit”, ka potencuar ai.
Nominimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për president sipas tij bëhet tek pasi të mos jetë gjetur një figurë konsensuale jashtëpartiake. “Nominimi i LDK’së për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet konsensual jashtëpartiak, kurse të përcaktohet LDK’ja për emrin e tij ose të saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i LVV’së”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, pika e tretë e ofertës siç ka thënë Kurti, ka pasur të bëjë me kërkesën e LDK’së që Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit të ndahet. “Sipas kërkesës së LDK’së Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit të ndahet, me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë Ministrisë së Arsimit, të Shkencës, të Teknologjisë dhe të Inovacionit, ndërkaq Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë”, ka vazhduar ai.
Sipas ofertës së LVV-‘së, pakicat serbe do ta merrnin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal, kurse pakicat serbe Ministrinë për Komunitete.
Gjatë deklaratës së tij, Kurti ka thënë se gjatë bisedimeve të deritanishme Vetëvendosja ka bërë katër kompromise, kurse LDK’ja asnjë. “Programi im qeverisës është 50 për qind nga ai i LDK’së, zëvendëskryeministri i parë do të jetë nga radhët e LDK’së, pesë ministri në qeveri do të jenë të LDK’së, e cila edhe zgjodhi si të përzgjidhen ato, pasi që insistonte që medoemos të zgjidhte e para”, ka potencuar Kurti derisa ka numëruar kompromiset e arritura.










