“Open Balkan”, BE: Mirëpresim angazhimet për bashkëpunim rajonal

“Bashkimi Europian mirëpret angazhimet e liderëve për bashkëpunim rajonal”. Kështu është shprehur Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në një intervistë për mediat në Kosovë, teksa ka rikujtuar edhe zotimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal.

“Ne i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpunimin rajonal, një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim-Asociimit. Ne e kuptojmë dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që e përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të përparojë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, një angazhim politik i marrë nga gjashtë udhëheqësit e rajonit në Samitin e Sofjes vjeshtën e kaluar”.

Pisonero në fund ka thënë se BE-ja është duke krijuar mundësi investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve dhe se tashmë i takon rajonit që t’i shfrytëzojë këto mundësi në mënyrën e duhur.

“Ne po sjellim mundësi të rëndësishme investimi në rajon nëpërmjet Planit Ekonomik dhe atij të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke e shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke ngritur një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”.

Sipas saj iniciativat për bashkëpunim rajonal kanë përfitime. Gjithashtu, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Kosova duhet të jetë më mendjehapur karshi iniciativave rajonale

Kryeministri Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kanë zhvilluar disa takime të përbashkëta me qëllim të shtyrjes përpara të idesë së tyre të Minishengenit të riemëruar si “Open Balkan”.

Kjo nismë nuk është përkrahur nga Kosova, e cila ka refuzuar të marrë pjesë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu