Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një operacion policor, ku u kapën mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë.
Aksioni është koduar si ‘Rikthimi’ që nisi me bastisje në një depo në rajonin e Ferizajt e vazhdoi me kontrolle të tjera në katër lokacione, dy prej të cilave në rajonin e Prishtinës.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, ka bërë të ditur se janë arrestuar pesë persona.
Dy prej tyre shtetas të Turqisë, një shtetas i Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas të Kosovës.
Në konferencë u bë e ditur se janë sekuestruar 5 mijë euro, një veturë, 10 telefona, DVR i kamerave dhe fishekë.










