Opozita proteston kundër vjedhjes së zgjedhjeve në Republika Srpska: Dodik po akuzohet për manipulim të rezultateve

Në Banja Llukë të Bosnje-Hercegovinës ka nisur një tubim i qytetarëve, nga ku do të nisin protestat e opozitës kundër, siç pretendojnë, vjedhjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Siç raporton reporteri i portalit klix.ba nga vendi i ngjarjes, deri më tani janë mbledhur disa mijëra persona.

Kryetari i PDP-së, Branislav Borenoviq, bëri thirrje për protesta paqësore dhe dinjitoze.

Veçanërisht ka uruar policinë pasi siç thotë ai i ka rezistuar presionit dhe nuk e ka ndaluar shëtitjen.

Në protesta ka arritur edhe kundërshtarja e Milorad Dodikut në zgjedhje, Jelena Triviq, e cila pritet që së shpejti me pjesëmarrësit të dalin në një shëtitje në formë proteste nëpër qytet.

Kujtojmë se Partia Demokratike Serbe, Partia e Progresit Demokratik dhe Lëvizja për Drejtësi dhe Rend të Nebojsha Vukanoviqit ftuan të gjithë qytetarët që ndihen të grabitur dhe të mashtruar në zgjedhjet e mbajtura të dielën që t’i bashkohen një shëtitjeje paqësore, ku do të “shprehin qartë dhe pa mëdyshje revoltën e tyre kundër mashtrimit zgjedhor dhe vjedhjes së votave”.

Ndryshe, partia e Dodikut ka fituar në zgjedhjet e përgjithshme në Republikën Serbe sipas rezultateve pre-eliminare, por që ka shumë dyshime se janë manipuluar pasi që në avantazh për shumë kohë ishte kandidatja e opozitës Triviq. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu