Osmani: Maqedonia e Veriut nga viti i ardhshëm kryeson me Procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në Selanik të Greqisë, merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtme të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL), njoftojnë nga MPJ.

Takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme, theksojnë nga atje, u mbajt në kuadër të takimeve përfundimtare të kryesimit grek me PBEJL nën moton “Forcimi i sinergjive të Evropës Juglindore”. Në fokus të bisedimeve ishte bashkëpunimi rajonal në dritën e rritjes së paqëndrueshmërisë dhe ndikimeve negative të agresionit rus ndaj Ukrainës. Njëherazi, u shkëmbyen mendime për perspektivën evropiane të rajonit, rëndësinë e prioritizimit të sigurisë energjetike, përpjekjet për intensifikimin e bashkëpunimit për ballafaqim me çështjet e sigurisë, si dhe promovimin e Marrëveshjes së Gjelbër dhe adresimin e ndryshimeve klimatike.

Duke falënderuar për presidencën e suksesshme greke në rrethana të jashtëzakonshme si dhe për mbështetjen e integrimit evropian të vendeve të PBEJL-së që ende nuk janë anëtare të BE-së, Osmani iu referua rëndësisë së avancimit thelbësor të bashkëpunimit rajonal në kohë kur e gjithë bashkësia ndërkombëtare po përballet me sfidat e rritjes së çmimeve të energjisë, produkteve bazë dhe lëndëve të para si rezultat i luftës në Ukrainë.

Osmani tha se të gjitha format e organizimit rajonal që kanë për qëllim heqjen e barrierave burokratike dhe ndërtimin e tregut të përbashkët rajonal duhet të trajtohen me urgjencë dhe angazhim të plotë të Qeverive. Në këtë drejtim, gjithashtu i potencoi projektet për përmirësimin e infrastrukturës, për sigurimin e diversifikimit të energjisë dhe përmbushjen e qëllimeve të agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Theksoi efektin jashtëzakonisht pozitiv të heqjes së tarifave të roamingut ndërmjet vendeve të rajonit dhe përpjekjet për heqjen e tyre në raport edhe me vendet anëtare të BE-së, si dhe vendosjen e të a.q. Korsi të gjelbra për transportuesit që kanë për destinacion vendet anëtare të BE-së, duke filluar me kufirin midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, si shembuj të praktikave të mira për veprime të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e MPJ-së..

Lidhur me perspektivën evropiane të rajonit, shtojnë nga atje, ministri Osmani deklaroi se “nuk ka vendim më të rëndësishëm, më efektiv, më katalizues për forcimin e stabilitetit e nxitjen e reformave, si dhe entuziazmin e BE-së në rajonin e EJL-së, se hapja e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, pa shtyrje të mëtejshme dhe justifikime”.

Në takim u miratua edhe deklarata, sipas së cilës Maqedonia e Veriut e merr kryesimin me PBEJL për periudhën qershor 2023-qershor 2024, pas përfundimit të presidencës së ardhshme të Malit të Zi dhe si pjesë e Treshes së bashku me Greqinë. Kryesimi me këtë organizatë rajonale zhvillohet paralelisht me kryesimin e OSBE-së nga 1 janari i 2023. Me këtë, Republika e Maqedonisë së Veriut etablohet si veprues që ka kapacitet diplomatik të kryesojë me forume dhe organizata të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu