Osmani në Dubrovnik: BE-ja duhet ta gjejë një mënyrë për ta integruar Ballkanin Perëndimor

Në suaza të pjesëmarrjes në Forumin e sivjetëm të Dubrovnikut, ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, mbajti fjalim në panelin e ministrave të jashtëm, me temë “Komuniteti Ndërkombëtar dhe Ballkani Perëndimor: Si t’i japim fund karantinës?”.

Sipas një njoftimi nga Ministria e Jashtme, në fjalimin e tij, Osmani iu referua Forumit të Prespës për Dialog të mbajtur ditë më parë në Ohër, kontekstin e përgjithshëm reformues të lidhur me fillimin zyrtar të negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe marrëdhëniet dhe pritjet e vendeve aspirante për anëtarësim në BE.

“BE-ja duhet ta gjejë një mënyrë për ta integruar Ballkanin Perëndimor, gjë e cila do ta nënkuptonte konsolidimin gjeografik dhe politik të kontinentit evropian. Ky proces është në interes strategjik të të dyja palëve dhe kërkon përfshirje më të madhe të vendeve nga rajoni në debatin mbi të ardhmen e BE-së, në atë mënyrë që u inicua përmes panelit ‘E ardhmja e Evropës’ gjatë Forumit të Prespës”, theksoi Osmani.

Në afrimin e rajonit me BE-në, Brukseli do të duhej patjetër të garantonte një proces të parashikueshëm dhe të besueshëm, përmes të cilit të dy palët do t’i përmbaheshin obligimeve të pranuara – realizimin e reformave për fillimin formal të negociatave për anëtarësim, si për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nuk ekziston mënyrë tjetër që Evropa të jetë e plotë, përveç integrimit të pjesës që i mungon”, shtoi Osmani.

Në panel morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Çekisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Greqisë, si dhe zyrtarë të BE-së.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu