Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka zbuluar edhe një gafë tjetër të Ivica Daçiqit gjatë qëndrimit në Bled të Sllovenisë.
Pacolli ka thënë se Daçiq përveç asaj që e ka përmendur prejardhjen e gruas së Matthew Palmer, ka thënë se edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është dhëndër i kësaj ane, duke përmendur prejardhjen sllovene të Ivanka Trump.
Pacolli thotë se deklarata të tilla e kanë shndërruar Daçiqin në një njeri qesharak që askush nuk e merr më seriozisht.
“Ai e ka përmendur dje edhe Trumpin si dhëndër të kësaj ane. Atë që e thotë z.Dacic nëpër forume të ndryshme, askush nuk e merr seriozisht. Ai është shndërruar në një objekt talljeje”, ka treguar Pacolli për “Express”.
Pacolli ndër të tjera ka thënë se fakti që gruaja e Matthew Palmer është serbe, nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas tij Palmer është një diplomat i pjekur që do të ndjek politikën e SHBA-së.
Për këtë çështje ka folur edhe analisti serbe, Dushan Janjiq, i cili ka thënë se gruaje Palmer nuk merret me politik në Serbi dhe se nuk mbështet njerëzit e Millosheviqit.
Çështjen e prejardhjes së gruas së Palmer e ka ngritur në Bled të Sllovenisë ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, duke thënë se nuk presin asgjë nga Palmer, por nga gruaja e tij po.
Palmer së fundi është caktuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor dhe siç ka treguar edhe vetë dialogu Kosovë-Serbi do të jetë pika kryesore e agjendës së tij në Ballkanin Perëndimor.










