Pakoja e pestë ekonomike merr dritë jeshile në komisionin parlamentar

Pakoja e pestë e masave ekonomike pëfundimisht kaloi sot filtrin e komisionit parlamentar për financim dhe buxhet dhe së shpejti pritet të vendoset në rend dite në seancë plenare, njofton KlanMaqedoni.

Pakoja me ndihma që shkojnë direkt për qytetarët dhe kompanitë e prekura nga kriza e pandemisë, ishte element diskutimi për rreth një orë në komisionin për financim dhe buxhet. Nga VMRO-DPMNE thonë se asnjë nga amendamentete e tyre thelbësore nuk u pranua, por nënvizuan se edhe përskaj ndihmës së pamjaftueshme kjo përsëri është një formë ndihme dhe ata e kanë mbështetur, për qytetarët.

“Asnjë nga këto amendamente thelbësore nuk u pranua nga ana e Ministrisë së Finansave dhe nga shumica parlamentare. Në përputhje me informatat tona janë krijuar kushte që sot të mbahet seancë plenare në Kuvend, në të cilën përfundimisht mund të përfundojë procedura ligjvënëse rreth kësaj pakoje për mbështetje ekonomike për qytetarët dhe kompanitë. Ndihma edhe pse vlerësojmë se nuk është e mjaftueshme dhe se duhet të dimenzionohet në mënyrë tjetër, përsëri është një formë ndihme dhe puna jonë si deputet është që sa më shpejtë ta përcjellim deri te qytetarët”, theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Timço Mucunski.

Nga LSDM thonë se opozita më në fund është vetëdijësuar dhe ka vendosur që të mos bllokojë më këto masa që sipas tyre nuk janë për partitë por për qytetarët. Nga LSDM njoftuan se sot shërbimet e Kuvendit po vaksinohen dhe mbetet që kjo pako të vendoset në rend dite në seancë plenare dhe pritet që një gjë e tillë të ndodh sa më shpejtë të jetë e mundur.

Pas një kohe të gjatë që puna e Kuvendit ishte bllokuar, ajo u zhbllokua sot pasi gjatë ditës së djeshme VMRO-DPMNE dhe koalicioni ASH-AAA tërhoqen amendamentet dhe kjo pako u kthye përsëri në diskutim. Vonesat e këtyre masave kanë lënë pa paga mijëra qytetarë, ndërsa një numër i madh i të punësuarve u dorëzuan në pushim të detyrueshëm.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu