Pamje: Si e festoi 60-vjetorin spideman-i francez

Ai njihet si Spiderman francez dhe është ngjitur në disa nga ndërtesat më të larta në planet, shpesh pa leje dhe në telashe me autoritetet.

Alain Robert muajin e kaluar mbushi 60 vjeç. Dhe për të festuar, ai donte të ngjitej në një rrokaqiell 48-katësh, 187 metra në Paris. Lëvizja e tij kishte edhe karakter simbolik. Spiderman-i francez donte të tregonte se 60 vjet, që është edhe mosha e daljes në pension në Francë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se është lodhur.

I veshur me të kuqe, Roberti ngriti krahët duke arritur majën e rrokaqiellit. “Dua t’u dërgoj njerëzve mesazhin se të mbushësh 60 vjeç nuk është asgjë. Ju ende mund të merreni sport, të jeni aktiv dhe të bëni gjëra të mrekullueshme”, tha ai.

Në fakt, ai zbuloi se sipërmarrja nuk ishte një ide e nxitur e momentit. “I kisha premtuar vetes disa vite më parë që kur të mbush 60 vjeç, do të ngjitem sërish në këtë rrokaqiell, sepse 60-ta është viti i pensionit në Francë”.

Roberti gjithashtu donte të bënte ngjitjen për të rritur ndërgjegjësimin mbi nevojën për veprim klimatik, pasi ishte ngjitur më parë në Tour Total në disa raste.

Ai është arrestuar shumë herë

Spiderman-i francez filloi ngjitjen në vitin 1975, duke u stërvitur në brigjet shkëmbore pranë qytetit të tij të lindjes. Ai filloi të ngjitej vetë dy vjet më vonë në 1977 dhe u konsiderua shpejt një nga më të mëdhenjtë e llojit të tij.

Që atëherë, ai është ngjitur në mbi 150 struktura të ngjashme në botë, duke përfshirë Burj Khalifa në Dubai, e cila është gjithashtu ndërtesa më e lartë në botë, Kulla Eiffel dhe Ura Golden Gate në San Francisko.

Megjithatë, ngjitja shumë herë ka përfunduar në komisariat, pasi ai është arrestuar. Kjo sepse ai ngjitet pa parzmore, duke përdorur vetëm duart, një palë këpucë ngjitjeje dhe një qese pluhur shkumës për të fshirë djersën.

Në tetor 2018, ai u arrestua pasi u ngjit në Kullën Salesforce 202 metra në Londër pa litar ose pajisje sigurie.

Në shtator 2019, ai pati probleme me policinë gjermane, sepse u ngjit në një ndërtesë shumë të lartë në Frankfurt. Ai ishte 57 vjeç në atë kohë dhe iu deshën 20 minuta për t’u ngjitur në ndërtesën 153 metra në zemër të kryeqytetit financiar të Gjermanisë.

Roberti është ndër alpinistët më të mëdhenj në histori. Ai pranon se kur fillon të ngjitet ka frikë. Megjithatë, sapo merr kontrollin e parë, frika zhduket. “Bëhem tjetër njeri dhe hyj në një botë tjetër”, thotë ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu